Mjeshtri i njohur i futbollit shkodran dhe atij shqiptar Ramazan Rragami, është  shumë kritik për mënyrën se si skuadra shkodrane paraqitet në ndeshje të veçanta. Pas disfatës në Gjirokatër tre javë më parë, për kuqeblutë erdhi një tjetër humbje, këtë herë në Laç. Ai ka folur me shumë rezerva për paraqitjen e Vllaznisë në këtë ndeshje teksa per gazeten online www.shkodrasport.com ka thënë: “Vllaznia na zhgënjeu në ndeshjen e Laçit. Ajo luajti vetëm 25 minuta dhe më pas ishte Laçi që mbizotëroi në fushë. Fakti që skuadra shkodrane ka luajtur vetëm 25 minuta, do të thotë se ajo ka probleme të mëdha. Prandaj nëse mendojmë se objektivi për të shkuar në Kupat e Europës është gjithnjë e më larg, të mos harrojmë se ajo mund të rrezikojë edhe rënien nga kategoria përderisa matematikisht edhe kjo është e mundur. Mjafton që skuadra të luajë nga 25 minuta çdo ndeshje dhe do ketë pasoja. Përgjegjësia direkte për këtë gjendje shkon tek futbollistët. Ata po shfaqin mangësi fizike në fushë. Nuk e di pse vjen kjo kur faza përgatitore është bërë e mirë. Vetëm në një apo dy ndeshjet e para, skuadra kishte formë të mirë ndërsa më pas ajo ka rënë. Ajo që dua të them unë se “takati” i kësaj Vllaznia kaq është. Në kushte të tilla, drejtuesit e saj mbase më mirë duhet të fillojnë të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Të fillojnë të piketojnë lojtarët që duhen për të ndërtuar një skuadër shumë më ndryshe dhe një ndër to duhet të jetë Vucaj i cili ndaj Vllaznisë spikati me performancën që bëri. Prandaj duke bërë maksimumin në ndeshjet e mbetura, sigurisht që duhet filluar projektimi për të ardhmen”.

Gjergj KOLA