Ndeshja e djeshme ndaj Lushnjës ka nxjerr në pah sërish një nga problemet kryesore të Vllaznisë: vështirësinë për gjetjen e golit. Vërtetë skuadra ka prodhuar raste por sulmuesi Atsina dhe mesfushori- sulmues Çinari kanë humbur të paktën secili nga tre raste të pastra. Një gjë e tillë mund të kishte rezultuar edhe fatale sepse kuqeblutë qëndruan në ankth deri në vërshëllimin e fundit të arbitrit për të siguruar fitoren. Por trajneri Gjoka duket se po e merr me qetësi këtë situatë që po kalon reparti ofensiv i skuadrës që ai drejton. I pyetur për rastet e humbura, ai është shprehur: “Për mua më shumë rëndësi kishte që fitorja ndaj Lushnjes të ishte e pastër sa i takonte golave të pësuar që të mos hynim në krizë sepse nga gjithë këto ngarkesa, nga gjithë këto zhurma, nga gjithë këto probleme që kemi patur dhe nga mungesa e rezultateve, pësimi i golit ndikon shumë në skuadër edhe kur je në fushë.

Po ashtu, na duhej të kishim shënuar edhe një gol të sigurisë dhe për ne nuk kishte rëndësi pastaj nëse do të fitonim me rezultat të thellë apo jo. E rëndësishme ishte të kishim trepikëshin e sigurtë. Rastet e humbura? Them që erdhën nga mungesa e qetësisë e lojtarëve tanë. Duhet të jemi më shumë profesionistë që golin ta shënojë skuadra dhe nuk ka rëndësi e shënoi X apo Y. Gjithsesi të gjithë këto që ndodhën ndaj Lushnjes, unë ia lë sërish mungesës së qetësisë së lojtarëve. Shpresojmë që në ndeshjet e ardhshme të jemi më ndryshe në këtë drejtim”

© shkodrasport.com