Efektivët e Policisë së Shkodrës u shtangën këtë të dielë, kur në dyert e Komisariatit u shfaq një i ri që kërkonte të dorëzonte para. 16-vjeçari, Erind Shkambaj, portier i Akademisë Shkodra, mëngjesin e së dielës ishte nisur si çdo fundjavë tjetër për në punë, por rrugës gjeti një portofol në tokë. Ky rast u publikua edhe në televizionin Top Channel dhe Shkambaj dha edhe një intervistë në lidhje me këtë për gazetarin Klodian Zhivani.

“Kur po kaloja këtu në rrugë, pashë një portofol. E mora, kishte letra italiane, karta banke dhe gjëra të tjera. Ishte i rëndë dhe po kontrolloja në rrugë nëse po kalonte ndonjë njeri. Nuk kaloi njeri. E futa në xhep më vonë dhe shkova ta kontrolloj dikund që nuk më shikonte asnjë njeri dhe pashë që kishte lekë në të. Kishte dikund 6-7 mijë euro në të.”

Ai i përkiste turistit italian Claudio Perrinella, i cili ishte ndalur në fshatin e Oblikës në Shkodër, ku banon Erindi, për të blerë diçka dhe pastaj portofoli i kishte rënë nga xhepi. Në të ishin karta e identitetit, karta të llogarive bankare dhe një shumë prej mbi-6000 eurosh, para për të cilat, djaloshi duhet të punojë për shumë kohë për t’i fituar. Bujaria dhe fisnikëria e 16-vjeçarit Shkambaj u shpërblye me vetëm 100-euro nga ana e italianit.

“Pse nuk i mora për vete? Ai lek nuk futet në shtëpi, për mendimin tim. Më mirë këtë 100-euro që më fali ai italiani se sa 6700-euro dhe ai lek haram.”

Erindi tregon se në familjen e tij të gjithë janë punëtorë të thjeshtë dhe janë mësuar që çdo gjë ta fitojnë me djersë.

“Ne jemi familje normale. Babai bën dy punë. Nëna punon për vete, unë për vete. Vëllain tani e kishim nisur jashtë për në Finlandë. Akoma as ai nuk është sistemuar tamam. Me 6700-euro, gjëja e parë që do kisha bërë, është që do kisha ndihmuar vëllain.”

I riu Erind Shkambaj gjatë javës vazhdon shkollën e mesme, ndërsa në fundjavë punon si ndihmës kamarier në një prej restoranteve në qytet. Pasditeve, stërvitet fort me ekipin e Shkodrës U-17 me ëndrrën se një ditë do të bëhet portier i madh.
Maringlen ZHIVANI