Rauf Çanga, një nga veteranët e futbollit shkodran dhe një prej ish-futbollistëve të Vllaznisë së artë të viteve ‘70, ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Në intervistën e tij për gazetën, Çanga është ndalur te humbja e fundit e kuqebluve ndaj Bylis. Duke e cilësuar si diçka “normale”, por pavarësisht se ndoshta skuadra nuk tregoi nivelin e saj të zakonshëm, kjo disfatë u ndikua edhe nga disa faktorë të tjerë sipas 83-vjeçarit.
Megjithatë ai ka besimin se ekipi do të kthehet menjëherë te fitoret dhe se ky do të jetë sezoni i duhur për të kthyer titullin kampion. Ku në fund thekson se stafi teknik dhe futbollistët që ka Vllaznia e mbushin plot pozitivitet dhe shpresë për sukses.
Profesor, një humbje e Vllaznisë në javën e fundit ndaj Bylis, si e analizon?
Në Superiore jemi mësuar që s’ka kundërshtarë të lehtë, sidomos kur luan në fusha të forta si ajo e Ballshit. Pasi Bylis dihet që është një skuadër që kërkon të shfrytëzojë në maksimum duelet si pritës dhe për çdo rival është e vështirë. Po ashtu për ta besoj se ishte shansi i “fundit” që të largoheshin disi nga fundi i tabelës dhe janë tashmë në garë totalisht për mbijetesën. Për Vllazninë mund të them se ishte thjesht një ndeshje “jo”, pas atyre sukseseve radhazi që mori skuadra në javët e shkuara. Megjithatë ndoshta prisja më tepër nga skuadra, që nuk zhvilloi atë lojën sulmuese dhe me presing lart ndaj kundërshtarit si zakonisht.
Sa besim keni te ky sezon dhe kthimi i titullit në Shkodër?
Kam shumë besim e po ashtu dëshirë, ka ardhur momenti që titulli të jetë në Shkodër. Ka ardhur momenti të gëzojë ekipi më i vjetër në vend e po ashtu këta tifozë e qytetarë të mrekullueshëm. 25 vite pa titull janë shumë dhe Vllaznia s’ka qëndruar kurrë kaq gjatë pa fituar kampionatin. Them se tani janë kushtet ideale që ekipi të shpallet kampion e të shënojë titullin e 10-të në histori, që do të ishte me të vërtetë diçka shumë speciale.


