Largimi i trajnerit Matias Tatangelo ka bërë që drejtuesit e KF Shiroka të mendojnë për gjetjen e zëvendësuesit të tij. Për momentin ende nuk ka asgjë konkrete, teksa nuk përjashtohet mundësia që skuadrën tani e tutje ta drejtojë Ardit Mani, krahu i djathtë i italo- argjentinasit.
Megjithatë duket se çdo gjë do të vendoset në ditët e ardhshme. Vetë klubi shkodran përmes faqes zyrtare ka njoftuar ndërprerjen e kontratës me mirëkuptim me Tatangelon të cilin e kanë falenderuarr përr punën e bërë me skuadrën. Ja çfarë shkruhet në këtë njoftim:
NJOFTIM ZYRTAR
Klubi dëshiron të njoftojë opinionin sportiv dhe të gjithë dashamirësit se, me mirëkuptim dhe konsensus të plotë mes palëve, është vendosur ndërprerja e kontratës me trajnerin Matias Tatangelo.
Gjatë periudhës së bashkëpunimit, trajneri Tatangelo ka treguar profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi në punën e tij, duke kontribuar në zhvillimin e ekipit dhe në përmirësimin e standardeve sportive dhe disiplinore brenda klubit.
E falënderojmë sinqerisht Matias Tatangelo për angazhimin, seriozitetin dhe punën e bërë gjatë kohës që ka qenë pjesë e klubit tonë. I urojmë suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale dhe në çdo sfidë të ardhshme.
Klubi do të vazhdojë punën për realizimin e objektivave të tij sportive dhe do të njoftojë në kohën e duhur për hapat e ardhshëm.


