Bashkia Shkodër ka vendosur ditën e djeshme emrin e “Loro Boriçit” në hyrje të stadiumit dhe po ashtu u premtua për ndërhyrje të tjera për përmirësimin e kushteve të tij. Por nga ana tjetër, kryetari Beci do të deklaronte se “në frymën festive të 107-vjetorit të Vllaznisë, ftoj edhe tifozët të bëhen pjesë e nismës sonë: të propozojnë që katër tribunat e stadiumit të mbajnë emrat e kolosëve të futbollit shkodran. Propozimet do t’i paraqiten shumë shpejt Këshillit Bashkiak për miratim”.
Pikërisht në lidhje me këtë, ka reaguar edhe Klubi i Futbollit Vllaznia i cili përmes disa fakteve dhe shkresave të publikuara, i ka kujtuar Bashkisë se propozimi zyrtar nga ana e tij si klub ka shkuar në zyrat e saj por edhe të Këshillit Bashkiak që me datë 21 janar 2025 dhe propozimi ka qenë konkret që katër tribunave t’iu vendoseshin emrat e kollosëve të futbollit shkodran, Ramazan Rragami, Medin Zhega, Sabah Bizi dhe Paulin Ndoja. Ja çfarë shkruhet në reagimin e klubit kuqeblu ditën e sotme:
“Stadiumi “Loro Boriçi” formalizoi vendosjen e emrit në hyrjen kryesore. Një akt simbolik, i munguar prej vitesh, por i merituar për një nga figurat më të mëdha të futbollit shqiptar, për të cilin falënderojmë Bashkinë Shkodër.
Me këtë rast, Klubi i Futbollit Vllaznia rikujton sportdashësit shkodranë dhe drejtuesit lokalë për iniciativën e formalizuar me datë 25 Janar 2025, përmes së cilës i është kërkuar zyrtarisht Këshillit Bashkiak Shkodër miratimi i emërtimit të katër tribunave të stadiumit me emrat e katër korifejve të futbollit shqiptar: Ramazan Rragami, Paulin Ndoja, Medin Zhega dhe Sabah Bizi.
Kjo nismë e Klubit të Futbollit Vllaznia ka gjetur mbështetjen e shprehur publikisht nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci.
Në prag të 107-vjetorit të bashkimit në Vllazni të të gjitha zemrave që rrahin kuq e blu, presim reagimin institucional dhe formalizimin përfundimtar të kësaj kërkese, në nderim të figurave që kanë ndërtuar historinë e futbollit shkodran.
107 vite histori
107 vite respekt për ata që e ndërtuan këtë histori”




