Ditën e djeshme në të përditshmen sportive “Panorama Sport” dhe më pas në portale të ndryshme është publikuar një intervistë e trajnerit të Vllaznisë Mirsad Jonuz.

Në të ai fliste për ndeshjen miqësore ndaj Teutës, për merkaton, dëmtimin e Ramadanit apo dhe rikthimin e Bardullës sërish në skuadër.
Por në fakt, trajneri Jonuz nuk ka dhënë asnjë intervistë pas ndeshjes dhe është çuditur kur ka parë në media një gjë të tillë.

Për këtë arsye, përmes një emaili dërguar në redaksinë e “Shkodra Sport” ka reaguar duke kërkuar njëkohësisht korrektësi nga gazetarët në këtë drejtim.

“Intervista e publikuar në “Panorama Sport” nuk është e imja. Unë nuk kam dhënë asnjë intervistë pas ndeshjes me Teutën dhe prandaj ju lutem mos flisni në emrin tim”- shkruan në reagimin e tij drejtuar të gjithë gazetarëve trajneri Jonuz.

Sigurisht që kjo është e drejtë e tij dhe nëse vërtetë ka ndodhur kështu, kjo gazetë duhet të kërkojë ndjesë. Trajneri aktual i Vllaznisë ka patur një përvojë dyvjeçare edhe si trajner i kombëtares së Maqedonisë dhe e di si duhet të funksionojnë rregullat e intervistave dhe të konferencave për shtyp, por kurrsesi nuk ka dëshirë të lejojë të tjerët të shkruajnë në emrin e tij fjalë që ai nuk i ka thënë asnjëherë.
© shkodrasport.com