
Drejtuesit e klubit Vllaznia dhe ato të Bashkisë Shkodër, të pakënaqur me gjykimin e ndeshjes së fundit në Lushnjë nga arbitri kryesor Lorenc Jemini i cili i shtohet gjykimit të njëanshëm të po këtij gjyqtari edhe në ndeshjen e parë të kampionatit me Flamurtarin apo dhe atë të javës së tretë ndaj Tiranës. Për këtë arsye, mesditën e sotme zëdhënësi i Bashkisë Shkodër Ridvan Dibra ka bërë një deklaratë për shtyp para mediave duke nënvizuar në të, të gjitha pakënaqësitë. Ky reagim sigurisht që i është bërë i ditur edhe presidentit të FSHF-së Armando Duka, Sekretarit të Përgjthshëm Ilir Shulku dhe Sektorit të Arbitrimit pranë këtij institucioni. “Bashkia Shkoder dhe Klubi i futbollit Vllaznia sh.a janë të shqetësuar në lidhje me atë çfarë ka ndodhur në ndeshjen e djeshme Lushnja- Vllaznia, e vlefshme për javën e katërt të Superligës, por edhe për ndeshje të tjera, sa i takon gjykimit të tyre. Duke u ndalur tek ndeshja e djeshme dhe konkretisht tek gjyqtari kryesor z. Lorenc Jemini, konstatojmë se ky gjyqtar ka në vazhdimësi dashakeqësi në vendimet e tij ndaj skuadrës së futbollit “Vllaznia”, shoqëruar me mohimin e 5 pikëve në dy ndeshje të këtij kampionati, atë me Flamurtarin në javën e parë dhe këtë me Lushnjën në javën e katërt. Ky gjyqtar po luan jo vetëm me djersën e futbollistëve dhe punën e stafit drejtues, por po tallet me tifozët e shumtë shkodranë, po tallet me investimet tona si Bashki që janë paratë e taksapaguesve shkodranë. Gjykime të tilla bëjnë që tifozët shpeshherë t’i tejkalojnë ndenjat e tyre dhe kjo mund të ketë pasoja më të rënda. Ajo çfarë kërkojnë nga Ju zotërinj dhe nga komisionet përkatëse të FSHF-së është dënimi maksimal i gjyqtarit Lorenc Jemini. Përveç kësaj, kërkojmë që atmosferën të cilën gjyqtarët gjejnë në Shkodër, ku ndjehen komodë edhe në rast humbje të Vllaznisë, ta gjejnë edhe në stadiume të tjera të vendit. Nëse në botë, kjo është një lojë argëtuese, futbolli në Shqipëri po bën shumë armiq në mes tifozërive të skuadrave të ndryshme, në mes qyteteve të ndryshme dhe shkaktarët kryesorë në shumicën e rasteve janë gjyqtarët.Bashkia Shkodër dhe Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a do të ndjekin të gjitha hapat ligjorë për të kërkuar të drejtën e tyre. Përveç kësaj deklarate, hapi tjetër do jetë dërgimi i ankesës tonë bashkë me pamjet filmike të ndeshjes së fundit me Lushnjën, në komisionet përkatëse të FSHF-së. Nuk mund të pranojmë gjykime të tilla. Kur e bën këtë gjë, arbitri që konsiderohet më i miri në Shqipëri, llogarit pastaj të tjerët. Nuk mund të lëmë këtu pa përmendur edhe një 11-metërsh të padhënë në favorin e Vllaznisë edhe në ndeshjen e javës së tretë me Tiranën. Në rrethana të tilla, me gjykime të tilla kundër skuadrës sonë në tre nga katër ndeshjet e zhvilluara, mendojmë se ka diçka që nuk shkon. Federata duhet të heqë dorë nga mbështetja e disa skuadrave dhe penalizimi i disa të tjera, një ndër të cilat po shohim se është Vllaznia. Ajo çfarë kemi kërkuar gjithmonë ka qenë vetëm DREJTESI në gjykim, asgjë më shumë. Në opinionin sportiv shqiptar por edhe të arbitrave të futbollit, mund të jetë krijuar një ide e gabuar se Vllaznia është një “skuadër pa zot” ngaqë nuk ka në krye të saj një presidenti- biznesmen. Ju kujtojmë të nderuar zotërinj, se kjo është një ide mëse e gabuar. Vllaznia e ka një zot, që është Bashkia Shkodër, por në fakt kjo skuadër i takon taksapaguesve shkodranë dhe me ta s’mund të tallet askush. Prandaj, lutemi të merrni masat e duhura dhe t’i jepni Vllaznisë të drejtën e saj, asgjë më shumë. Kjo është ajo që kërkojmë ne”- thuhet në këtë deklaratë për shtyp.
www.shkodrasport.com