Portieri malazez i skuadrës shkodrane Miroslav Vujadinoviç ka qenë i shqetësuar së tepërmi me vendimet e gjyqtarit Jemini në ndeshjen e fundit me Lushnjën. Ai ka reaguar edhe në fushë dhe madje është ndëshkuar me karton të verdhë prej tij. Reagon edhe në media teksa duke folur në lidhje me këtë ndeshje, thotë:”Nuk e kam për zakon të gjykoj shumë veprimet e arbitrave por mendoj se në ndeshjen e fundit në Lushnjë, ka qenë pikërisht ai që na ka mohuar fitoren. Disa vendime të dyshimta karshi nesh, na ndëshkuan shumë duke bërë që të na mohohen dy pikë në këtë ndeshje, prandaj dhe u irrituam shumë. Goli i Krujës ka qenë mëse i rregullt ndërkohë që edhe goli i shënuar nga Lushnja, ka ardhur pas një goditje këndi që nuk ishte aspak e tillë.

Unë prandaj dhe protestova tek gjyqtari duke i thënë se nuk ishte goditje këndi dhe çuditërisht mora karton të verdhë prej tij”. Vujadinoviç u bashkua thuajse në fund të merkatos me kuqeblutë pasi gjatë verës tentoi të bashkohej me ndonjë skuadër tjetër. Megjithatë ai është i kënaqur që është pjesë e kësaj skuadre sërish. Nga ana tjetër, portieri 30 vjeçar nga Podgorica, kërkon të shuajë njëherë e mirë frikën që mund të ekzistojë tek ndonjë tifoz për një rënie nga kategoria të Vllaznisë këtë sezon. “Vllaznia e këtij sezoni ka shumë ndryshime nga ato të sezoneve të mëparshme. Mendoj se ka më shumë disiplinë, futbollistët duken shumë të përkushtuar për të bërë më të mirën në çdo ndeshje dhe deri më tani kemi ecur jo keq. Nëse dikush ka menduar gjatë verës se me problemet që kishte skuadra, ajo do rrezikonte rënien nga kategoria, këtë ta harrojnë se ka për të ndodhur. Vllaznia është një emër i madh i futbollit shqiptar dhe si i tillë ka për të zënë vendin që i takon në renditje”- ka thënë ai. SKuadra shkodrane nga dita e djeshme ka nisur përgatitjet për sfidën e rradhës, atë që do luhet me Laçin në fundjavë. Pas saj ajo do ketë sërish një ndeshje në shtëpi me kampionen- Skënderbeun. I pyetur në lidhje me fatin e këtyre dy ndeshjeve, Vujadinoviç do të shprehej: “Personalisht ndjehemi mirë në pozicionin që kemi në renditje. Sa i takon dy ndeshjeve të rradhës që do luajmë me dy skuadra të forta si Laçi dhe Skënderbeu, natyrisht do ishte diçka shumë e mirë që t’i fitonim të dyja ato por unë do isha i kënaqur edhe me 4 pikë të marra në këto dy takime”.
Gjergj KOLA