Besnik Duli nuk do të jetë më trajner i ekipit të Veleçikut të Koplikut. Ai ka dhënë dorëheqjen nga ky post pasditen e së hënës. Sipas vetë atij, arsyeja pse ka marrë këtë vendim ka qenë mungesa e anës financiare e cila po ndikon dukshëm në ecurinë e skuadrës. Fakti që Bashkia Koplik është tërhequr nga financimi i Veleçikut, ka ndikuar jo pak. Po ashtu, luajtja e ndeshjeve në Pukë për shkak të mungesës së një fushe të përshtatshme i ka komplikuar edhe më shumë gjërat. Ndonëse kampionati nisi mirë për koplikasit me dy fitore në dy ndeshjet e para me Dinamon dhe Albeprolin, kanë mjaftuar dy humbje në ndeshjet e fundit, ato me Himarën dhe Mamurrasin, që gjërat të marrin për keq tek Veleçiku. Sigurisht që drejtuesit e klubit mund të kërkojnë llogari për humbjet por sigurisht që nuk mund të kërkosh llogari kur ekipit nuk i është plotësuar asnjë kusht. Në rrethana të tilla Besnik Duli ka preferuar të japë dorëheqjen. Enigëm tashmë mbetet fakti se kush do ta zëvendësojë atë në pankinë. Kanë filluar të lakohen emrat e parë megjithatë ende nuk është shumë e qartë se kush do të jetë trajneri i ri i Veleçikut. Pavarësisht se kush do emërohet, një gjë është e qartë: Skuadra koplikase do ta ketë shumë të vështirë ta përballojë këtë sezon me gjithë këto probleme që ka si me financat ashtu edhe me fushën.
Gjergj KOLA