Reali i Madridit në provën e zjarrit. Sot në mbrëmje në “Bernabeu” formacioni i Santiago Solarit do të presë Valencian, në një ndeshje e cila vlen shumë për të ardhmen.

Një fitore do ta fuste sërish ekipin “galaktik” në vallen për titullin kampion, duke shpresuar që edhe skuadrat e tjera që janë sipër të ndalen. Është një sfidë që kërkohet reagimi pas humbjes të turpshme ndaj Eibarit në transfertë.

Por në Romë, ekipi madrilen tregoi se di të ngrihet edhe atëherë kur rrëzohet. Duhet të tregojnë se kampionati për ta nuk është një çështje e mbyllur, por se duan të luftojnë deri në fund. Sot në 20:45 do të shuajmë disa nga pikëpyetjet që janë ngritur. Trajneri Solari në konferencën për shtyp nuk ka dashur të reagojë në lidhje me çështjen Isko, por ka thënë se ai është një lojtar si gjithë të tjerët dhe nuk do të shpenzojë shumë energji për të folur rreth tij.

STËRVITJA- “Puna e përditshme dhe stërvitja është 80% e futbollit. Nëse nuk jemi të përqendruar, nëse nuk jemi të fokusuar në maksimum do të kemi probleme. Por kam besim te skuadra dhe kemi treguar se dimë t’i kalojmë momentet e vështira”.

ROMA- “Fitorja na dha besim dhe alegri për të punuar. Kemi përgjegjësi për ta nderuar këtë skuadër”.

LIBERTADORES- “Është një nder për madrilenët që të mirëpresin një klasike të futbollit argjentinas. Shpresoj që stadiumi ynë të sjellë fat dhe të mbyllet në një mënyrë të mirë, pasi ka qenë një finale e komplikuar”.

ISKO- “Sinqerisht, është një temë që nuk meriton të diskutohet. Këto janë vendime të klubit. Nuk përgjigjem më nëse Isko stërvitet mirë, apo stërvitet keq. Nuk mund të merremi me spekulime. Në skuadër kam 24 lojtarë dhe të gjithë janë profesionistë. Nuk flas më për këtë temë, u lodha duke folur”.

VALENCIA- “E dimë të gjithë që është një ekip i vendosur mirë në fushën e lojës. Kështu që duhet të jemi të shpejtë dhe të vendosur mirë në sulm për të marrë rezultat pozitiv. E kemi për detyrë që të bëjmë ndeshje të mirë dhe të provojmë të ngjitemi sa më lart në renditjen e La Ligës”./panorama-sport/