Reali i Madridit e nis me këmbën e mbarë vitin 2020. Los Blancos triumfuan lehtësisht 0-3 ndaj Getafes në “Coliseum Alfonso Perez” në derbin e vogël të Madridit, duke u ngjitur përkohësisht në krye të La Ligas.

Pas 3 barazimesh radhazi skuadra e Zidane mori një fitore të rëndësishme ndaj një rivali të rrezikshëm duke e mbyllur fazën e parë të kampionatit në kuotën e 40 pikëve.

Shifrat u zhbllokuan në minutën e 34-t nga autogoli i portierit David Soria pas goditjes së Varane. Në të 53-ën qëndërmbrojtësi francez dyfishoi shifrat me një gol me kokë i cili u akordua pas rishikimit në sistemin VAR. Në sekondat e fundit të shtesës kishte vend edhe për golin e tretë të Realit.

Një aksion model që u finalizua nga Luka Modric pas asistit perfekt që mori nga Valverde. Falë këtij suksesi Reali i Madridit shkon me gazin në maksimum në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës ndaj Valencias që do ta luajë në mesjavë në Jeddah të Arabisë Saudite. Ndërkohë edhe Los Che e nisën vitin me një fitore minimale ndaj Eibar në Mestalla me një gol të Maxi Gomez.