Pas atij supergoli të shënuar me roveshatë, pak ditë më parë, sulmuesi shqiptar, Kristian Kushta është nga më të përfolurit në mediat greke. Futbollisti realizoi një gol spektakolar, alla-Ibrahimoviç, në ndeshjen e Ligës së Dytë greke, Karaiskakis-Ierapetra, me shqiptarin që aktivizohet me këta të fundit këtë sezon.
23-vjeçari sezonin e kaluar ishte pikërisht pjesë e Karaiskakis, nga të cilët u largua në verë. Pas supergolit të shënuar, Kushta është në qendër të vëmendjes në Greqi dhe për këtë arsye “Gazzetta.gr”, ka nxituar për t’i marrë një intervistë sulmuesit.
Në intervistën e tij, Kushta ka zbuluar se është një tifoz i Ibrahimoviçit dhe shton më tej se i ka studiuar lëvizjet e suedezit. Gjithashtu lojtari zbulon edhe shakanë që bënë ish-shokët e skuadrës dhe fjalët që i thanë.
“Kur e pashë që po vinte topi, mendova se ishte momenti i duhur për të gjuajtur. E kisha provuar disa herë në stërvitje, por nuk e realizova asnjëherë! Unë jam një tifoz i madh i Ibrahimoviçit dhe i kam studiuar lëvizjet e tij, nuk mund ta mohoj këtë.
Jam agresiv dhe kur shikoj ndeshjet, analizoj lëvizjet e lojtarëve të mëdhenj. Unë psh. kam parë atë që ka bërë Ibra dhe u përpoqa ta kopjoja. Askush nuk e besonte atë që kisha bërë.
Fati donte që të shënoja ndaj ish-ekipit tim, dhe kundërshtarët më thanë: ‘Me ne e gjete të shënosh ore sh***dhatë’, me shaka. Telefoni për herë të parë më ra më shumë herë se për ditëlindjen. Faleminderit të gjithëve për mesazhet e shumta, por dua të përqendrohem më shumë të familja ime, që më ka përkrahur gjithmonë.”, u shpreh Kristian Kushta.