Shqiptarja Luiza Gega mori medaljen e artë në lojërat mesdhetare në garën e 3000-metrave. Një rezultat që bëri krenar gjithë shqiptarët. Pas kësaj arritje të Gegës, ka ardhur reagimi i fortë i gazetarit Mentor Kikia. Ai e këshillon sportisten të ruajë flamurin, ndërsa talentin e saj ta japë me PPP, sepse ai është pasuria e saj më e madhe.

Kikia tha se ndjen lumturi dhe krenari për këtë sukses të saj, ndërsa theksoi se Luiza duhet të kërkojë atë që i takon edhe financiarisht.

“Një këshillë për Luiza Gegën në kulmin e lavdisë. E dashur Luiza, ti s’më njeh, por unë të njoh! E di që ti je në delir tani, sepse je në maje dhe për këtë edhe unë ndjej lumturi dhe krenari.

Ti ke marrë shumë urime nga njerëz të thjeshtë dhe shumë politikanë dhe zyrtar të lartë. Ata krenohen me ty Luiza! Ti e bërë krenar vendin tënd, por a po të bën krenare ty vendi jot? Sa po të trajton ai si një kampione?

Do të vijë shpejt dita kur ti nuk do të mund të vraposh më kaq shpejt dhe atëherë këta që sot krenohen me ty, do të të harrojnë, do të vrapojnë të krenohem me flamurtarin e rradhës dhe ti mund të shesësh misra për të jetuar. Pashë një ditë në TV një ish-kampion peshëngritjeje. Në vend të flamurit, në sup kishte një trastë: “Jam pa punë. S’kam me se jetoj”,-tha.

Eh sa krenar jemi bërë edhe për të. Sa herë e kanë pritur nepër zyra me flamur mbi supe edhe atë. Dikur i dhanë edhe një apartament, një dhomë dhe një kuzhinë si shpërblim dhe dolën gjithë zyrtarët e qeverisë dhe sporteve në TV.

Luiza, kërko atë që të takon edhe financiarisht, sepse nesër askush nuk do të kujtohet për fotografinë tënde me flamur mbi supe. Flamurin ruaje, por talentin tënd jepe me PPP Luiza, sepse ai është pasuria jote”,-mbylli statusin e tij gazetari i njohur, Mentor Kikia.
Maringlen ZHIVANI