Redi Jupi është një nga ata persona që është duke e vuajtur shumë pjesën e të qëndruarit në karantinë dhe mungesën e aktiviteteve fizike në kushte normale. Ish-futbollisti në një intervistë për ABC News, është shprehur se gjendja e fëmijëve të cilët ai i stërvit, është kthyer në shtator.

Ndërkohë, Jupi nënvizon se ushtrimet fizike apo vrapi ndihmojnë në mënyrën e jetesës dhe duhet parë mundësia që njerëzit të lejohen të vrapojnë pasi kur e bëjnë të vetëm në rrugët e zbrazura, rrisku i kontaminimit është gati zero.

I detyruar të rrish në shtëpi? “Nuk e ndjej fare mirë veten. Ngushëllimi është që kjo është një situatë botërore dhe jo lokale. Jam munduar të bëj një përgatitje psikologjike. Por, është e vështirë sepse metabolizmi është i mësuar me aktivitet fizik sepse përveç se stërvis fëmijë, bëj edhe vetë ushtrime që të kem një shpenzim energjish të caktuar”.

Për fëmijët e vegjël pa aktivitet fizik, si ta zëvendësojnë atë që bënin në fushë? “Pak flitet për stërvitjen e fëmijëve. Sa dëm i ka bërë dhe sa e rëndësishme është. Gjendja e fëmijëve na është kthyer në shtator. Sado ushtrime në kushte shtëpie, përsëri është i pazëvendësueshëm aktiviteti fizik.

Por, unë jam i shqetësuar edhe për gjendjen psikologjike, jo vetëm të fëmijëve por të gjithë atyre që merren me sport. Sporti është një promotor i fortë për shëndetin fizik dhe mendor.

Unë e kam të pamundur të rregulloj mënyrën si jetoj pa bërë aktivitet fizik dhe kështu e kanë një pjesë të madhe atyre që merren me sport. Kur merresh me aktivitet fizik të rregullon mënyrën e të ushqyerit e të gjumit, ndaj shërben edhe për anën psikologjike”.

Fashat orare vetëm për pazare dhe punë. A duhet të ketë një fashë orare edhe për t’u marrë me sport, për vrap? “Kjo duhej bërë që në fillim sepse rrisku i kontaminimit të një personi që vrapon i vetëm në rrugët e qytetit apo te liqeni, apo ku të ketë mundësi është gati zero.

Në Francë ka pasur formular që përfshinin edhe sportin. Por, kërkesa këtu është e vogël për sport dhe presioni është i vogël se pak njerëz merren me sport. Por, duhet ngritur zëri se është e domosdoshme. Nuk duhet neglizhuar as sporti”, u shpreh Jupi. /VipSport/