Gazetari shqiptar në Londër, Arben Manaj, ka shpërthyer në akuza ndaj policisë shqiptare, e cila fillimisht refuzoi të merrte përsipër mbarvajtjen e ndeshjes, Shqipëri-Angli që do të luhet të dielën në “Air Albania”.

Ai tha se ndihet i zhgënjyer që në mediat angleze flitet për paaftësinë e policisë shqiptare, ndërsa ka treguar se si në vitin 2001 ka qenë në të njëjtin avion me gazetarët anglezë, kur kombëtarja e Anglisë erdhi në Shqipëri për të luajtur në eleminatoret e Kupës së Botës.

Sipas tij, gazetarët anglezë ishin të frikësuar se mos ndodhte ndonjë trazirë, pasi kishin kaluar veyëm 4 vite nga ngjarjet e vitit 1997, por Manaj i bindi ata që gjithçka do të shkonte në rregull.

“Vërtet lajmi është lënë pas, por është Federata Angleze që e ka konfirmuar. Ndjehem mjaft i zhgënjyer dhe zemërthyer kur lexoj BBC-në, Sky News apo The Independent që flitet për një paaftësi të policisë shqiptare për të organizuar një takim të tillë për aspektet e sigurisë.

Është një lloj “déjà vu” dhe më kujtohet ndeshja e fundit në 2001. Unë atëherë punoja për BBC dhe më kujtohet kam qenë i vetmi gazetar shqiptar që udhëtoja me avionin e medias britanike dhe më është dashur një kohë e gjatë për të bindur gazetarët britanikë që në Shqipëri nuk do të ndodhte gjë në aspektin e sigurisë pasi ishte 4 vite pas 1997-ës. Sot 20 vite më pas kjo është e paimagjinueshme.

Është një lloj “boomerang-u” që i krijohet imazhit të Shqipërisë. Nuk është faji i medias britanike kur policia shqiptare luan volejboll, ngre topin dhe pastaj e ka fajin media. Është një gafë e patolerueshme, e panevojshme dhe e shmangshme. Është një disavantazh i Shqipërisë me një autogol mediatik”, tha Manaj në Top Channel./newsport/