Vllaznia është skuadra për të cilin gjithmonë kanë bërë tifo të gjithë veriorët, nga Vermoshi dhe deri poshtë, ndoshta në Laç e Krujë. Numri i tyre është shumë i madhe dhe ndonëse ata mund të jenë larguar disi këto vitet e fundit, gjithsesi sytë dhe veshët i kanë pikërisht tek ajo.

Njëri prej tyre që vazhdon të bëjë tifo për Vllazninë është edhe regjisori i njohur Eduard Grishaj. I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, regjisori me origjinë nga Bajza ka folur për ecurinë e kuqebluve të këtij sezoni, për ecurinë e shkëlqyer në transfertë dhe ka dhënë edhe një “arsye” që sipas tij ka sjellë dështimin e Vllaznisë në shumë prej ndeshjeve të luajtura në “Loro Boriçi”.

Vllaznia është një dashuri e madhe për të gjithë shkodranët, me gjithë uljet dhe ngritjet e saj. Nëse i referohemi kampionatit aktual, nëse do t’i referoheshim vetëm ndeshjeve jashtë do të ishim kampionë ndërsa në ndeshjet në shtëpi nuk ka bërë paraqitje të mira sepse përgjithësisht ne i respektojmë miqtë dhe prandaj ne sillemi mirë me ata që vijnë për të luajtur në Shkodër.

Ndonëse është disi larg Vllaznisë, ai sërish di të analizojë edhe shkaqet që e kanë bërë të vuajë atë gjatë këtyre viteve të fundit dhe prandaj ka shtuar:

“Problemi më i madh që ka futbolli shkodran i cili ka shumë talenta, është se nuk ka shumë lekë tashmë. Në qoftë kthehem prapa në kohë para disa vitesh, në krye të Vllaznisë ka qenë një njeri që quhej Myftar Çela i cili ishte nga Bajza e Malësisë së Madhe dhe me të, u bë një revolucion shumë i madh në futbollin shqiptar, edhe në pagesat e lojtarëve”.

Sot vërtetë Bashkia mundohet të bëjë maksimumin e saj për të financuar e mbështetur Vllazninë, por problem është menaxhimi i parave dhe i situatave ashtu si duhet”.
www.shkodrasport.com