Ndoshta vetë Rei jo, por gati të gjitha mediet e vendit tonë shpresuam në një debutim të sulmuesit të kombëtares me ekipin e parë të Barcelonës që pas ardhjes së tij në merkaton e dimrit. Sigurisht jo dhe aq pa shkas sepse Barcelona ka një mangësi të madhe lojtarësh në sulm dhe Manaj ishte një alternativë.

Megjithatë, jo. Rei ka ardhur te ekipi i dytë i Barcelonës dhe do të trajtohet si të gjithë djemtë e tjerë atje. Te ekipi i parë nuk luan askush, që nuk ka bërë mirë te Barcelona B më parë.

Kështu, këtij rregulli të pashkruar nuk kishte sesi të mos i shpëtonte as Manaj. Një gol me penallti dhe disa raste të humbura nuk mjaftojnë të luash në “Camp Nou” dhe Setien e di shumë mirë këtë.

Barcelona vendosi të paguajë klauzolën e Brejthuejt dhe ta integrojë menjëherë me grupin. Ardhja e danezit largoi edhe shpresën e Manajt, që nuk u pa më as në stërvitje me Mesin, pamje, të cilën sytë tanë e frekuentonin shpesh kohët e fundit.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe ditën e sotme. Nga Barcelona B u stërvitën disa lojtarë, por Rei Manaj nuk u duk. Atij së pari do i duhet të shkëlqejë me katalanasit e vegjël. /vipsport/