Mirsad Jonuz vendosi të lërë Vllazninë pas përfundimit të kontratës, duke e “braktisur” skuadrën menjëherë pas ndeshjes me Flamurtarin në Vlorë javën e shkuar. Ditën e sotme shkodranët kanë prezantuar trajnerin e ri të ekipit.

Ai është Hysen Dedja, një emër shumë i njohur për futbollin shkodran si ish-lojtar dhe trajner. Gjatë prezantimit të teknikut të ri ka folur edhe administratori Suad Lici, i cili deklaron se financat nuk do të jenë më një problem.

ZGJEDHJA- “Sot bëjmë prezantimin e trajnerit Hysen Dedja. Është një emër i njohur për qytetin tonë, një ish-futbollist kampion, një trajner kampion me Vllazninë. Krahasuam kandidaturat dhe vendosëm të bashkëpunojmë me trajnerin Hysen Dedja. Marrëveshja është deri në fund të sezonit dhe pastaj do rishikohet. Shpresojmë të kemi ecuri të mirë dhe të zgjatim bashkëpunimin.”

OBJEKTIVAT- “Sa i takon objektivave, duam të ngjitemi sa më lart dhe të shkojmë në finalen e Kupës. Dje u bë një analizë, sot do bëhet një tjetër analizë e detajuar. Do analizojmë humbjen me Laçin. Jemi të zhgënjyer nga rezultati dhe mënyra si shkoi ndeshja. Nuk e kishim parashikuar ashtu. Do ua themi gjithçka lojtarëve në analizë”.

FINANCAT- “I kemi dhënë garanci trajnerit Dedja për anën financiare. Klubi ka shlyer detyrimet për muajt shkurt e mars. Nuk besoj se do kemi problematika”.

MIRSAD JONUZ- “Dua ta falenderoj Jonuz, ishte pjesë e klubit dhe bëri zgjedhjen e tij me përfundimin e kontratës. Klubi ka për detyrë t’u sigurojë futbollistëve banesat, por jo t’ua paguajë faturat e ujit dhe të energjisë elektrike. Është një debat i pavlerë”. /vipsport/