Reja, kombëtarja e Shqipërisë dhe Italia. Ishin këto temat e diskutimit me trajnerin e përfaqësueses kuqezi një ditë pas përfundimit të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Katar 2022”. Shqipëria e mbylli në vendin e tretë me 18 pikë kualifikueset në grupin I, ndërsa të hënën në mbrëmje penalltia e kthyer nga gol nga Çekiçi i dha tre pikët kombëtares sonë me Andorrën. Por çfarë duhet të presim në të ardhmen nga kjo kombëtare dhe nga Reja në veçanti?

“Ajo që mund të them në këto momente është se jemi duke u rritur, ndonëse ende nuk jemi sa duhet kompetitiv. Por nëse punohet mirë, sidomos me kombëtaret e moshave U-19, apo U-21, që është më pranë ekipit të të rriturve, atëherë mund të arrihet diçka. Ndaj Andorrës përshembull është aktivizuar Muçi, i cili vjen nga U-21, apo dhe shumë emra të tjerë të rinj.

Por ata duhet të piqen, sidomos në klubet ku aktivizohen e përgatiten përditë. Janë ende djelmosha në moshë, por që kanë të ardhme të sigurtë. Nëse përmirësohen këto gjëra, atëherë do të jemi më të fortë e pas disa vitesh do të jemi cilësor. Por duhet të kemi dhe 3-4 pedina të rëndësishme brenda skuadrës, që të bëjnë diferencën. E sigurtë që e ardhmja do të jetë e mirë”.

Reja nuk ka dashur të flasë për rinovimin, por si italian ndihet keq që kombëtarja e të kaltërve, edhe pse me petkun e kampionit të Europës, do të duhet të kalojë përmes Play-off për të qenë në “Katar 2022”.

“Ndodh kështu, sepse kur ke fituar, kur nuk ke më as uri e as oreks për të patur vazhdimësi gjëndesh në një situatë të tillë. Italia ka patur probleme të mëdha, që lidhen më së shumti me dëmtimet. Edhe ne në harkun kohor të një muaji, apo 15 ditësh, kemi patur lojtarë me Covid-19 dhe të dëmtuar. Megjithatë mendoj se do ta kalojë këtë situtatë të vështirë dhe përmes Play-off do të shkojë në Botëror. Një përshëndetje të gjithëve dhe rishihemi përsëri”.

E me palestrën e re të Iris Selimit, Reja ka përfunduar misionin e tij në Shqipëri, sigurisht ndoshta për t’u rishfaqur përsëri kur Kombëtarja të jetë gati për miqësoret e marsit./rtsh/