Kombëtarja e Shqipërisë prej disa ditësh ka nisur punën në Durrës, teksa lojtarët janë grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese të evropianit 2020. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Islandën në transfertë, më datë 8 qershor dhe më pas në datën 11 qershor, Shqipëria pret në stadiumin e Elbasanit, Moldavinë. Dy ndeshje tejet të rëndësishëm dhe që do të përcaktojnë shumë në ecurinë e mëtejshme të Kombëtares në rrugën e kualifikueseve.
Ndërkaq, lista e trajnerit Edi reja pritet të pësojë disa ndryshime duke qenë se tekniku do të detyrohet të zëvendësojë lojtarët të cilët kanë shfaqur probleme fizike së fundmi. Kështu, trajneri nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Egzon Binaku.
Binaku i cili aktivizohet në kampionatin suedez me Norrkoping, është dëmtuar dhe nuk do të jetë i gatshëm të bashkohet me kuqezinjtë. Ndërkohë, probleme edhe për mesfushorin Ledian Memushaj. Vlonjati ka pasur probleme fizike në këto ditë grumbullimi dhe duket se është e pamundur të rikuperohet në kohë për ndeshjet.
Ndërkaq, përveç problemeve me dëmtimet, trajneri Reja, nuk do të ketë në dispozicion edhe mbrojtësi Marash Kumbulla, i cili do të ketë impenjime me skuadrën e Hellas Verona dhe do të mund të bashkohet vetëm me U-21 më datë 3 qershor.
Mbetet për t’u parë tashmë se cila do të jetë zgjedhja e Rejas për të zëvendësuar tre lojtarët, të cilët i kishte në planet e tija. Ndërsa vlen të përmendet se në ndeshjen e parë, atë ndaj Islandës, mbrojtësi Mërgim Mavraj do të mungojë për shkak se është i skualifikuar, pas kartonit të kuq me Skocinë./VipSport/