Rejan Alivoda, mes fushori shkodran që aktivizohet në Emiratet e Bashkuara Arabe me skuadrën e Ittihad Kalba është futbollisti i fundit që i ka dhuruar një fitore Vllaznisë në kryeqytet ndaj Partizanit.

Në prag të këtij dueli, 22-vjeçari ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, duke u shprehur besim plotë për një sukses të kuqebluve në fundjavë. Ndër të tjera ai ndalet edhe tek ndryshimet që shikon tek 9 herë kampionët e vendit këtë sezon dhe shpresat e mëdha që ka për fitimin e titullit nga ana e skuadrës së drejtuar nga Martini.

Alivoda, sezoni i dytë në Emirate, tashmë më i përshtatur apo jo?

Mendoj se po, tashmë sezoni i dytë këtu dhe ndihem më mirë. Më i përshtatur me kampionatin dhe klimën dhe shpresoj që me punën time të realizoj një kampionat më pozitiv se ai i kaluari. Ndihem gati pavarësisht disa problemeve që më kanë shoqëruar këtë fillim sezoni dhe nuk më kanë lejuar të jem në 100% tim.

Një lëndim ju ka shqetësuar këtë fillim sezoni, tashmë në formën më të mirë e për të qenë sërish protagonist me Ittihad Kalba?

Tashmë e kam kaluar momentin e vështirë dhe po kap dalëngadalë ritmin e ekipit. Dua të zbres sa më shpejt në fushën e lojës dhe marr minutat, duke ndihmuar skuadrën në objektivat që kemi këtë edicion.

Sa ke pasur mundësi ta ndjekësh kampionatin shqiptar, si janë dukur ekipet?

Kampionatin e ndjek me kureshtje çdo javë dhe jam i përditësuar me lajmet dhe informacionet e Superiores. Absolutisht në veçanti Vllazninë që është skuadra e zemrës, por Superiore më duket shumë rivalizuese këtë edicion. Duket se ka garë të egër në çdo pozicion të klasifikimit dhe besoj se deri në javët e fundit nuk do të arrihet të kuptohet se kush do t’i arrijë objektivat e tyre.

Vllaznia në veçanti, si e analizon në syrin tënd?

Vllaznia më ka pëlqyer, po luan futboll të bukur, por edhe fitues. Kam shumë besim se do të jenë lart në klasifikim gjatë gjithë kampionatit. Kjo jo vetëm për dëshirën time, por për vetë futbollistët që ka. Që janë plot cilësi dhe eksperiencë dhe prandaj garantojnë për një ekip të fortë deri në fundin e edicionit.

Çfarë ka ndryshuar te kuqeblutë që nga momenti kur ti ishte pjesë e skuadrës?

Këtë nuk di ta them me saktësi, sepse duhet të jesh aty për të shikuar diferencën. Por këtë sezon i shikoj shumë të bindur drejt objektivave që kanë dhe uroj që t’i realizojnë në fund.

Është Vllaznia pretendenti numër një për titull kampion?

Momentalisht mund ta them se po, që është pretendente kryesore për titull. Kjo sepse ka bindur në ndeshjet direkte me rivalët direktë këtë sezon. Prandaj them se janë të fortë dhe pretendentë numër një për titullin. E besoj se ka ardhur edhe momenti që Vllaznia të rikthejë titullin në Shkodër.

Kush janë rivalët më të fortë sipas teje?

Të tre ekipet që janë në “final 4”, duke filluar me Egnatian, Dinamon dhe Elbasanin. Këto janë rivalët e Vllaznisë dhe diferencat mes tyre janë të pakta. Prandaj duhet kujdes dhe përqendrim në çdo ndeshje sepse kampionati është i gjatë dhe çdo skuadër do të mundohet të përfitojë në “dëm” të Vllaznisë.

Je i fundit që i ke dhënë fitoren në kryeqytet ndaj Partizanit, ekip që Vllaznia do të ketë përballë këtë fundjavë. Kush do ta zëvendësojë Alivodën, për t’i siguruar shkodranëve një fitore tjetër?

Gjithmonë golat që kam shënuar me Vllazninë më kanë dhënë një ndjesi të veçantë e sidomos kur ekipi ka fituar në fund. Them se në fundjavë Vllaznia do të fitojë kundër Partizanit dhe ai që do të shënojë do të jetë Bekim Balaj.