“Beji Antoni mund të shkojë vetëm në formë huazimi tek Egnatia. Sulmuesi është nën kontratë me Bylisin dhe për shitjen e tij gjithçka është e hapur deri më 31 gusht. Ofertat janë të shumta, por ende nuk kemi vendosur”.

Kështu është shprehur për “Panorama Sport” presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, rreth së ardhmes së sulmuesit nigerian, Antoni, i cili në sezonin e fundit në Superiore realizoi 10 gola, duke qenë shënuesi më i mirë i ballshiotëve, të cilët zbritën nga elita dhe këtë sezon do të jenë pjesë e Kategorisë së Parë.

Ndërkohë, kur mendohej se klubet e Bylisit dhe Egnatias kishin arritur marrëveshjen, tashmë situata ka ndryshuar, pasi rrogozhinasve u duhet të presin për vendimin përfundimtar që do të marrin drejtuesit ballshiotë lidhur me të ardhmen e nigerianit.

Gazeta zbulon se ofertat për sulmuesin janë të shumta, jo vetëm nga klube të Kategorisë Superiore, por edhe jashtë Shqipërisë. Së fundmi mësohet se në lojë për shërbimet e tij është futur edhe Partizani.

Klubi i kuq ka një raport të mirë me Bylisin, për vetë faktin se në muajt e fundit ka marrë nga ballshiotët mesfushorët Valentino Murataj dhe Donald Mëllugja. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë oferta që Bylisin do ta joshë për 22-vjeçarin.