Vllaznia mori një fitore me shumë vlera ditën e djeshme kundër Kukësit në shifrat 2-0, ky takim në kuadër të javës së 20-të të Superiores. Një sukses që patjetër i jep moralin e duhur ekipit të drejtuar nga Josa. Kjo edhe për shkak të ‘klasikes’ që luhet të dielën kundër Tiranës, një takim që mund të hapë krejtësisht garën për titullin kampion.
Por për tu kthyer tek ndeshja kundër Kukësit, duket se këtë sezon verilindorër janë ‘preja’ e preferuar e Vllaznisë. Kjo pasi shkodranët kanë një rekord absolut me 100% fitore kundër skuadrës të drejtuar tashmë nga Rrahman Hallaçi. Gjithçka duke nisur nga dueli i fazës së parë ku Vllaznia fitoi në frymën e fundit me rezultatin 2-1.
Po ashtu në fazën e dytë kuqeblutë fitonin 0-1 në stadiumin ‘ Zeqir Ymeri ‘ të Kukësit, ku do ishte një gol i Hakajt që jepte 3 pikë në atë takim. E së bashku me ndeshjen e djeshme, shkodranët kanë 3 fitore në 3 ndeshje këtë sezon kundër Kukësit, duke marrë kështu 9 pikë në duelet kundër bluve.
Shifra që Vllaznia nuk i ka arritur me asnjë skuadër deri në këto momente në kampionat, e me sa duket tashmë trendi i viteve të shkuara kundër Kukësit ka ndryshuar. E ish-kampionët e vendit nuk janë më ajo skuadra e fortë e sezoneve të shkuara, që luftonte gjithmonë për vendet e para të renditjes apo edhe për titullin kampion.
Endri ÇINARI