Shkruar nga Endri ÇINARI
Mbrojtja e Vllaznisë ka qenë epiqendra e suksesit shkodran në këtë fillimviti 2026, duke ngritur një mur të pakalueshëm për plot shtatë ndeshje radhazi mes kampionatit dhe Kupës. Pas 630 minutash pa pësuar gol, kuqeblutë ndërtuan një rekord mbresëlënës që vulosi seriozitetin dhe disiplinën taktike të skuadrës. Porta shkodrane u kthye në një fortesë të vërtetë, ndërsa çdo kundërshtar hasi vështirësi për të gjetur hapësira.
Seria historike mori fund në fitoren 2-1 ndaj AF Elbasanit, kur Boye u bë futbollisti i parë që dërgoi topin në rrjetën e Vllaznisë për vitin 2026. Një moment që theu statistikën, por jo moralin e skuadrës.
Goli i pësuar ishte më shumë një episod se sa një tregues rënie, pasi reagimi në fushë konfirmoi pjekurinë e grupit.
Edhe pse seria e paprekshmërisë u ndërpre, rruga e fitoreve nuk ndaloi. Përkundrazi, triumfi ndaj verdhebluve ishte i nënti radhazi mes Superiores dhe Kupës, duke konsoliduar formën fantastike të skuadrës. Vllaznia po tregon vazhdimësi rezultatesh dhe një identitet të qartë loje, ku ekuilibri mes repartit mbrojtës dhe fazës sulmuese është çelësi i suksesit.
Në portë, Pohls ka qenë garanci absolute, me pritje vendimtare dhe qetësi që transmeton siguri te prapavija. Para tij, Gurishta, Bajrami, Gjini, Çelikoviç dhe Pusi kanë funksionuar si një mekanizëm perfekt, duke fituar duele, duke mbuluar hapësirat dhe duke lexuar në mënyrë të shkëlqyer çdo situatë të rrezikshme. Harmonia dhe komunikimi mes tyre kanë qenë faktor kyç në këtë ecuri për t’u duartrokitur.
Kjo Vllazni po ndërton themele të forta për objektiva madhorë. Edhe kur statistikat thyhen, karakteri mbetet. Dhe shkodranët kanë treguar se dinë të fitojnë jo vetëm me spektakël, por mbi të gjitha me organizim, sakrificë dhe një mbrojtje që, për më shumë se 600 minuta, ishte simbol i pathyeshmërisë në futbollin shqiptar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


