Mbrojtësi lezhjan i kuqebluve, Renato Malota, mendon se Vllaznia duhet të kishte marrë diçka më shumë pas tri takimeve të para në kampionat. Sipas tij, mënyra e trajnimit ka bërë edhe ndryshimin mes Vllaznisë së vjetshme dhe kësaj të këtij sezoni. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thekson ndër të tjera se shpreson që skuadra do të jetë në pesëshen e parë në fund të këtij kampionati.
A jeni i kënaqur me startin e skuadrës?
Jam i kënaqur deri diku, pasi gjëja, e cila më ngroh së tepërmi është atmosfera pozitive që kemi në ekip. Ekziston fryma e duhur dhe mendimi për të ecur sa më lart. Normalisht, kishim mundësi të ishim edhe më mirë pas këtyre 3 ndeshjeve të para, por do të punojmë fort që të bëjmë më mirë punën tonë në ndeshjet në vazhdim.
Sa ndikoi gjykimi te ju lojtarët në fushë kundër Tiranës?
Më vjen keq, sepse ishin 6 arbitra dhe asnjëri nuk e pa atë penallti… Ishte një rast që edhe një njeri që s’merr vesh nga futbolli, do ta jepte. Nuk di çfarë të them. Arbitrime të tilla ndikojnë shumë edhe te ne lojtarët, sepse në një ndeshje të tillë, këto episode vendosin takimin. Kur ke padrejtësi, kalon në nervozizëm dhe nuk je në gjendje të japësh më të mirën. Arbitrimi i gabuar irriton edhe tifozët, çka ndikoi shumë edhe te ne lojtaret në fushë. Uroj të jetë gabimi i fundit që na bëhet, pasi kampionati është i gjatë dhe gabimet e arbitrave ndikojnë jo pak tek ecuria e ekipit.
Keni qenë pjesë e Vllaznisë edhe një sezon më parë. Çfarë ka ndryshuar te kjo skuadër që tani duket se ka më shumë grintë?
Kanë ndryshuar shumë gjëra. Trajneri i ri ka të bëjë shumë. E them këtë, sepse ai ka futur grintën në ekip dhe konkurrencën, çka janë dy gjëra shumë pozitive. Ka të bëjë edhe mënyra se si stërvitesh. Në futboll, po s’pate grintë, nuk luan dot. Në këtë aspekt jemi të kënaqur, sepse edhe grinta ka qenë ajo që i ka munguar ekipit.