Vllaznia është kryesuesja e Kategorisë Superiore pas 19 javësh kampionat. Shkodranët janë të parët me 40 pikë dhe pas tyre vjen Partizani me 6 pikë më pak, ndërsa fundi i përket Bylisit dhe Skënderbeut me 12 pikë.
“Panorama Sport” do t’ju paraqesë disa renditje ndryshe, bazuar në statistika specifike të këtyre 19 javëve të luajtura në edicionin e 82-të të Kategorisë Superiore.
Nëse bën një renditje të asaj që kanë prodhuar skuadrat në pjesët e para, del që Kastrioti është skuadra me rezultatet më të mira në 45 minuta në këto 19 javë kampionat. Bazuar te rezultatet e pjesëve të para, Kastrioti kryeson me 29 pikë, me 6 fitore, 11 barazime dhe 2 humbje.
Pas tyre vjen Kukësi me një pikë më pak, ndjekur nga Vllaznia dhe Teuta me 26 pikë. Tabelën e renditjes së pjesëve të para e mbyll Skënderbeu me 14 pikëm që i bie të ketë dy më shumë sesa ka aktualisht.
PA SHTESË – Një renditje interesante është edhe ajo nëse do të bazoheshim te rezultatet e 19 javëve në kohën e rregullt, pa marrë parasysh golat që janë prodhuar në minutat shtesë.
Sipas rezultateve të kohës së rregullt, 90-minutëshe, i bie që kreu të udhëhiqet nga Partizani dhe Vllaznia me 36 pikë, ndjekur nga Laçi me 34 pikë dhe Teuta me 33 pikë. Me këtë renditje Apolonia do të ishte e fundit me 12 pikë, një pikë më pak se Bylisi i vendit të nëntë.