Trajneri holandez, Luiz Van Gal u tregua mjaft kritik këtë të shtunë me klubet që kanë kërkuar anulimin e kampionateve për shkak të COVID-19, gjë e cila do të sillte dhënien e titujve në tavolinë.
68 vjeçari, i cili për herë të fundit ka stërvitur skuadrën e Mançester Junajtid, deklaroi se në futboll fituesi shpallet në fushën e lojës. Për më tepër, Van Gal u tregua mjaft i ashpër dhe me Ajaksin, që kryeson kampionatin holandez dhe që ka bërë thirrje për anulimin e këtij sezoni.
“Ka klube që përdorin krizën koronavirus për përfitimet e tyre. UEFA dhe FIFA janë të gatshme të përshtatin rregullat dhe të ofrojnë hapësira. Në këtë mënyrë mund të ndërhyhet pak dhe në sezonin e ardhshëm, pra të luajmë më shumë ndeshje gjatë javës. Në sport, fituesi shpallet në fushë,” u shpreh Van Gal për mediat holandeze.
Me 8 ndeshje të mbetura (disa skuadra dhe 9), Ajaks dhe AZ Alkmari udhëheqin në Eredivisie me nga 56 pikë, por Ajaksi kryeson për shkak të golavarazhit.