Sot në orën 16:45 filloi sfida e javës së 32-të në Abissnet Superiore mes Dinamos dhe Vllaznisë në stadiumin “Elbasan Arena”. Ecuria e të dyja skuadrave nuk ka qenë e mirë, pasi të dyja klubet e nisën sezonin me objektiva të tjerë.

Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me trajnerin Brdariç, në kampin kuqeblu janë përhapur fjalë të ndryshme për prapambetje pagash dhe një gjyq i mundshëm me ish- trajnerin.

Para fillimit të sfidës në emisionin Gol pas Goli, gazetarët Elvis Rexha, Gjergji Stefa dhe Endi Tufa u përfshinë në një disktutim. Ishte Endi Tufa që pyeti gazetarin në terren Elvis Rexha, nëse janë të vërtetë zërat për vonesë pagash te Vllaznia.

Elvis Rexha u përgjigj duke treguar për vonesa të vogla, ndërsa Gjergji Stefa si drejtues emisioni tregoi se vetëm Partizani dhe Tirana janë treguar korrektë me pagesat. Më tej u përmendën dhe zërat për një gjyq të mundshëm të klubit me Brdariç.

“Ka probleme, vonesa, por nuk janë të mëdhaja. Për sa i përket gjyqit të Brdariç po e mësoj tani. Nuk ka shumë muaj pa paguar, gjëra të vogla”, u shpreh Elvis Rexha si gazetar në terren.