
Boksieri I Vllaznisë, vlonjati Rexhildo Zeneli ka zënë vendin e tretë në Kampionatin Europian të 18 vjeçarëve që është duke u zhvilluar në Roterdam të Hollandës. Në këtë mënyrë ai ka merituar medaljen e bronztë duke shënuar kështu një sukses të madh për boksin tonë. Paraqitja e tij në këtë aktivitet të rëndësishëm ka qenë mbresëlënëse. Ai ka kaluar tre ture duke sfiduar kundërshtarë të rëndësishëm dhe në gjysmëfinale është mundur nga një boksier nga Azerbajxhani megjithatë ka hyrë në zonën e medaljeve. Në turin e parë ai është kualifikuar me short ndërsa në të dytin ka mundur një boksier hungarez. Në turin e tretë, 17 vjeçari vlonjar ka mundur edhe një boksier slloven duke fituar të drejtën për të dalë në gjysmëfinaletë Europianit. Në këtë tur, ndonëse ai e kishte fituar tashmë të drejtën për të hyrë në zonën e medaljeve, Rexhildo Zeneli ka tentuar të sigurojë edhe finalen. Ka luftuar si I barabartë me azerbajxhanasin Mamadov dhe në fund gjyqtaria I ka dhënë fitoren me pikë këtij të fundit. Ndeshja në fakt mund t’I ishte dhënë edhe boksierit tonë megjithatë edhe me vendin e tretë dhe medaljen e bronztë, ai ka arritur një sukses shumë të madh. Përveç Rexhildo Zenelit, në këtë Europian kanë marrë pjesë edhe Krenar Zeneli dhe Syrjan Marinaj të drejtuar nga trajnerët Zef Gjoni dhe Jozef Sermi. Të dy këta boksierë janë eliminuar që në turin e parë megjithatë, suksesi I Rexhildo Zenelit mbulon gjithçka sepse është ndër arritjet më të mëdha të boksit shqiptar teksa ka treguar se mund të matet si I barabartë me të gjithë boksierët e vendeve të tjera të kontinentit tonë.
www.shkodrasport.com