Nga Dajana GEGAJ

Nuk ndodh gjithmonë që ëndrrat e hershme të shndërrohen në profesion të së ardhmes. Nganjëherë udhëkryqet janë të atilla saqë na ndryshojnë drejtimin. Megjithatë, jo prirjet!

E ngjashme është figura e njohur për sportin shkodran, trajneri Ridvan Lini, i cili ndër vite ka rendur pas pasionit të tij më të madh për futbollin, pa devijuar njëherë nga rruga që donte.

Ndonëse nuk luan më si një futbollist i mirëfilltë, Ridvan Lini, trajner i FC Basania, kontribuon në edukimin e të rinjve me sportin, veçanërisht futbollin, si dhe përkushtohet që të arrijnë sukses në fushë.

Aktualisht merret me trajnimin e 11 vjeçarëve të FC Basanias. I ka kaluar të pesëdhjetat dhe pozitiviteti, përgjegjësia e vullneti në punë, kanë bërë që shumë prindër, të ardhmen e fëmijëve të tyre në sport t’ia besojnë atij.

Trajner Ridvani na thotë që futbolli nuk është vetëm vrapim pas topit, gjuajtje apo pritje golash. Mbi të gjitha është mendjekthjelltësi, energji dhe pasion në çdo sekondë të lojës. As ai vetë, sipas tij, nuk është thjesht trajner.

Ka raste kur i duhet të bëjë dhe rolin e psikologut në mënyrë që fëmijët të ndihen sa më mirë në atë që bëjnë. Duhen kuptuar dhe stimuluar. Ndonjëherë edhe vetëm dëgjuar.

Tani, trajner Ridvani po punon për rritjen e sportistëve të rinj. Shumë prej 11 vjeçarëve janë premtues, ndaj dhe synon që në të ardhmen të nxjerrë talente të reja nga ekipi i Basanias.

Vitet e përvojës, serioziteti në trajnim, mirëkuptimi ndaj të rinjve, bashkëpunimi në fushë dhe mbi të gjitha pasioni i madh për futbollin, e bëjnë Ridvan Linin një trajner të zotin. Lojtarët e vegjël e nxisin atë të dhurojë në trajnim shumë nga vetja e tij; gjithçka që ai ka tani dhe që kishte një herë, kur ishte vetë njëmbëdhjetë vjeç.