Zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Elvis Plori thekson se ky i sivjetshmi është një kampionat i çuditshëm, ku skuadrat janë shumë të ngjeshura në krye dhe diferencat mund të bëjnë që në fundin e sezonit, ai që është i pari të dalë i pesti dhe duarbosh.

Në prononcimin për RTSH Sport, krahu i djathtë i trajnerit Bërdariç, shton se ndeshja me Kukësin do të vlerësohet maksimalisht pavarësisht formës së verilindorëve të cilët gjithsesi kanë cilësi në organikë.

“Normalisht të pakënaqur duke parë si po shkon kampionati dhe si luajtëm kundër Teutës, kishim mundësi të fitonim. Nuk është se këto dy ndeshje kemi marrë maksimumin, kështu mendon gjithë stafi.

Si me Tiranë dhe me Teutën nga gjashtë pikë morën vetëm një pikë. Nëse nuk shfrytëzon tre apo katër raste që krijohen, rri pastaj me frikën se mos gabon. Edhe sulmi nuk fajësohet, futbolli është kompleks. Pa ndihmën e të gjithëve muk arrihet asgjë”.

Ndeshja me Kukësin? “Ka bërë një kampionat të çuditshëm duke qenë se ka element të rëndësishëm, por ka të bëjë përqëndrimi, motivimi. Disa ndeshje ka pasur motivim, disa ndeshje jo. Unë e vlerësoj maksimalisht se ka lojtarë që bëjnë diferencën. Ndaj edhe dy sulmuesit e saj janë më të mirët me më shumë gola.

Ekipet e kreut janë aty-aty, nuk ka diferenca as në lojë apo pikë. Duhet të futemi për tre pikë. Të gjithë mungesat dhe dëmtimet po kalohen, Imami është bërë gati dhe pak probleme ka Da Silva që edhe në ndeshjen me Teutën nuk ishte stërvitur plotësisht, them se tani jemi të gjithë.

Tani kanë mbetur pesë javë dhe pastaj finalja e Kupës, janë të gjashta finale duke pasur parasysh edhe renditjen. Tre pikë larg vendit nuk duhet të mendojmë se nuk do e arrijmë, por duhet pasur kujdes edhe vendi i pestë. Të gjitha mund të fitojnë apo të hedhin në erë sezonin dhe të mos marrin asgjë. Është kampionat i çuditshëm”, u shpreh Plori. /VipSport/