Ndeshja e sotme “finale” e plej- ofit të kategorisë së parë në mes “Vllaznia B” dhe Orikut, ka qenë vërtetë dramatike.

Fillimisht një penallti në minutën e 95-të për vlonjatët që ka çuar gjithçka në kohë shtesë dhe më pas, një penallti e humbur nga shkodranët në shtesë.

Të gjitha këto nuk kanë mjaftuar për të shpallur fituesin sepse në fund janë dashur gjuajtjet e 11-metërshave për të shpallur fituesin.

Dhe janë gjuajtur jo pak, por nga shtatë për secilin ekip dhe në fund kanë fituar kuqeblutë me rezultatin 4-3.

Lojtari i “Vllaznia B” Ergi Borshi ka patur një dedikim të veçantë për këtë sukses të sotëm teksa pas ndeshjes ka postuar një foto në profilin e tij në facebook.

“Me doken, i cili sa ka vite në sport, unë nuk kam moshë. Fitoret mes vuajtjesh, shijojnë më shumë”- shkruan ai dhe më pas poston foton me doktorin e njohur të Vllaznisë Zyhdi Çoba i cili ka qenë sot me skuadrën në Durrës.
© shkodrasport.com