Kur kanë mbetur edhe pesë javë nga mbyllja e kampionatit të 82-të të Kategorisë Superiore, çështja e titullit vijon të jetë e hapur.

Gjysma e Superiores është në garë për titull, ndonëse duhet pranuar që Tirana është disi më e larguar nga kreu, që kësaj radhe mbahet i vetëm nga Partizani. Nga e para deri te Tirana e vendit të pestë distanca është 7 pikë.

Partizani, Teuta, Vllaznia, Laçi dhe Tirana janë në garë për titull, por edhe për një biletë europiane, ku njëra i bie të mbetet në shtëpi.

Dukuria e rokada në renditje ka vijuar edhe në përfundim të javës së 31-të, ku Partizani kryeson me 57 pikë dhe ka zbritur Teutën në vend të dytë, që barazoi së fundmi në transfertë ndaj një rivali direkt, Vllaznia.

Ky fenomen rokadash mund të vazhdojë deri në fund, ku fatin e titullit mund ta vendosin edhe llogaritë që kanë të bëjnë me përballjet direkte mes rivalëve dhe më pas golavarazhi.

Nga pikët e marra deri tani në duelet direkte në 31 javë kampionat del që Laçi është ekipi që ka fituar më shumë, 20. Teuta me pikën e marrë në Shkodër ka shkuar në 19 pikë të grumbulluar me 4 rivalët.

Tirana vijon më pas me 18 pikë, por bardheblutë në dallim nga pretendentët e tjerë ka një diferencë shtatë pikëshe me Partizanin e vendit të parë për rikuperuar, që duket e vështirë, edhe pse kalendari i favorizon.

Laçi ka mbyllur llogaritë me Partizanin dhe është superioren në duelet direkte. Në rast se Teuta e mbyll baras në krye me Tiranën, është e favorizuar, pasi në sfidat direkte ka 2 fitore, një barazim dhe një humbje me bardheblutë.

Durrsakët mbyllën llogaritë edhe me Vllazninë, por gjithçka mbetet në baraspeshë mes tyre. Tirana i ka mbyllur llogaritë edhe me Vllazninë, pasi janë ndeshur 4 herë dhe janë superiorë ndaj shkodranëve. Sido që të dalë derbi i fundit, Tirana është e humbur ndaj Partizanit, pasi ka një barazim dhe dy humbje deri tani.

Bardheblutë janë superiorë me Laçin në tri duelet e kryera. Teuta ka punë edhe një herë me Partizanin, ku në tri duelet e shkuara ka baraspeshë. Të kuqtë kanë punë edhe me Vllazninë, të cilën duhet ta mundin për të mos qenë inferiorë ndaj shkodranëve.

Laçi është superior ndaj Vllaznisë, pasi ka dy fitore dhe një barazim, ndërsa me Teutën duhet të fitojnë për të thyer baraspeshën e tri sfidave të luajtura. Partizani dhe Laçi kanë më shumë sfida rivalësh për të luajtur.