Del sërish në skenë çështja “Lici” tek Vllaznia. Ish- futbollisti i njohur kuqeblu ka vite që ndodhet dyerve të gjykatave për gjetjen e të drejtës së tij dhe tashmë duket se ka ardhur momenti për ta fituar atë dhe për të marrë atë që i takon. Për këtë arsye, ai ka angazhuar Përmbarimin Gjyqësor për t’i bllokuar numrat e llogarisë së klubit shkodran dhe kjo procedurë është kryer. Megjithatë, drejtuesit aktualë të Bashkisë Shkodër dhe ato të klubit Vllaznia, kanë gjetur një akord me Licin. Detyrimi do t’i paguhet atij me këste deri në fund të vitit 2015 dhe ish- futbollisti ka qenë dakord me këtë gjë në mënyrë që të mos paralizohet puna tek Vllaznia.


Megjithatë ky është një problem jo i vogël sepse kemi të bëjmë me një detyrim të prapambetur që prej sezonit 2005-06 kur presidenti në atë kohë ishte Agron Çela. Lici u pat kthyer nga Azerbajxhani dhe firmosi një kontratë 6 mujore me Vllazninë ku do të përfitonte 24 mijë dollarë por në fakt nuk është paguar asnjë lekë. Në këto kushte ai prej vitesh ndodhet nëpër gjykata dhe e ka fituar të drejtën si aty ashtu edhe në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF-së. Megjithatë akordi i arritur në mes tij dhe drejtuesve aktualë të klubit Vllaznia, i ka dhënë fund kësaj odiseje dhe kjo do të bëjë të mundur zhbllokimin e numrave të llogarisë së klubit shkodran

© shkodrasport.com