Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia dhe Elbasani vijojnë garën e fortë për titullin kampion në Abissnet Superiore, duke qenë me pikë të barabarta në krye pas 28 javësh. Shkodranët mbajnë vendin e parë falë golavarazhit, ndërsa në rast barazimi në fund, avantazhi në përballjet direkte është në anën e tyre. Në këtë fazë vendimtare të sezonit, çdo ndeshje merr peshë maksimale dhe sfida e radhës ndaj Partizanit shihet si një provë e vërtetë force për skuadrën e Edi Martinit.
Përballë do të jetë një rival direkt për zonën “Final Four”, që synon të afrohet me kreun. Vllaznia vjen në këtë përballje pas një momenti jo shumë pozitiv, me tre ndeshje radhazi pa fitore dhe pa shënuar gol. Një statistikë e pazakontë për ekipin që mban sulmin më të mirë të kampionatit, me 36 gola të realizuar.
Megjithatë, kuqeblutë mbështeten te forma e mirë në “Loro Boriçi”, ku kanë ndërtuar një ecuri shumë pozitive gjatë këtij sezoni, duke e kthyer stadiumin në një pikë kyçe në garën për titull. Në aspektin e skuadrës, mungesa më e rëndësishme mbetet ajo e Lirim Kastratit, që ka mbyllur sezonin për shkak dëmtimi. Në krahun tjetër, rikthimi i Erdenis Gurishtës është një lajm pozitiv për mbrojtjen, ndërsa në sulm pritet më shumë hapësirë për Kevin Dodaj përkrah kapitenit Bekim Balaj.
Ky i fundit mbetet arma kryesore e skuadrës, ndërsa mbrojtja me Gjinin dhe Bajramin vijon të jetë një nga më të konstantet në kampionat. Nga ana tjetër, Partizani hyn në këtë sfidë me objektiv të qartë, që të mos humbasë terren në garën për katërshen dhe të shfrytëzojë çdo hap fals të rivalëve. Në një kampionat kaq të ekuilibruar, kjo përballje mund të ketë ndikim direkt në renditje dhe në moralin e skuadrave. Për Vllazninë, është momenti për reagim dhe për të dhënë një sinjal të fortë në luftën për titull.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


