Nga Endri ÇINARI

Kampionati i Superiores së futbollit do rikthehet këtë të premte me javën e 29-të të saj. Aktiviteti ka qenë pushim fundjavën e kaluar, kjo për shkak të angazhimit të kombëtares shqiptare. Por gjithçka do i rikthehet garës së rregullt këtë javë, për të mos u ndalur më deri në muajin maj. Vllaznia do rikthehet me një sfidë në shtëpinë e saj.

Shkodranët do presin të premten në orën 19:00, skuadrën e Erzenit në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë duan të reagojnë pas humbjes që pësuan në Kukës me shifrat 2-0. Dhe ku ka më mirë se një atmosferë e ngrohtë në shtëpi për tu rikthyer tek sukseset. Java anti Erzeni starton sot për shkodranët, që do vijojnë me stërvitjet e zakonshme.

Ekipi për momentin po gëzon një formë të mirë shëndetësore. Kjo sepse asnjë lojtar nuk po vuan ndonjë ndalesë në infermieri. Pavarësisht ndonjë shqetësimi të kalueshëm që mund të ketë ndonjë prej futbollistëve. Aktualisht në stërvitjet e kuqebluve ka munguar vetëm Gerald Smajli. Por kjo për shkak se mbrojtësi është i angazhuar me kombëtaren u-21 të Shqipërisë.

Nën një atmosferë pozitive dhe me rezultate shumë të mira, Vllaznia po përgatitet në mënyrën e duhur për të mbyllur sa më mirë 8 javët e fundit të kampionatit. Po ashtu serioziteti dhe vlerësimi është i njëjtë për të gjithë kundërshtarët në Superiore.

Duke mos nënvlerësuar askënd dhe duke i trajtuar gjitha ndeshjet si finale. Kjo për të siguruar matematikisht “final 4” dhe po ashtu për të tentuar titullin kampion deri në fundin e edicionit./www.shkodrasport.com/