Vllaznia do e startojë fazën e dytë të kampionatit me duelin kundër Erzenit. Ndeshje që do luhet ditën e nesërme në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi”. Një duel aspak i lehtë duke parë formën e mirë të kampionatit, por edhe dëshirën për hakmarrje të kuqebluve, kjo pas disfatës në javën e parë kundër shijakasve në shifrat 1-0.
Duelet e luajtura në Shkodër ndër vite, kanë folur për Vllazninë. Ndeshja më e fundit në kohë në “Loro Boriçi” daton më 18.05.2019, ku kuqeblutë fitonin 1-0 kundër Erzenit. Por takimi ishte i vlefshëm për Kategorinë e Parë, në sezonin ku shkodranët ishin rrëzuar nga elita e futbollit tonë.
Por për të parë një duel të Superiores, mes Vllaznisë dhe Erzenit në Shkodër duhet të kthehemi shumë pas në kohë. Dhe më konkretisht në datën 26.04.2003, pra para 19 vitesh. Edhe në atë duel Vllaznia fitonte me shifrat e thella, ku rezultati përfundimtar do ishte 5-1 në favor të shkodranëve
Tashmë pas 19 vitesh, shijakasit kthehen në Shkodër për një duel në Superiore. Duel ku ata do kërkojnë të vijojnë me formën e tyre të mirë e ndërsa Vllaznia po ashtu nuk kërkon të prishë traditën, por edhe krijimin e vazhdimësisë në një kampionat që ka pasur shumë luhatje për ta deri më tani.
Endri ÇINARI