Ndonëse ditë të nxehta vere, në Federatën Shqiptare të Futbollit janë duke bërë planet për sezonin e ri futbollistik. Kështu, një nga risitë që ky institucion pritet të aplikojë është ai i kampionatit të 15 vjeçarëve. Nëse deri sivjet, një kampionat i tillë ka funksionuar vetëm në nivel zonal dhe amator, nga sezoni i ardhshëm, pritet që të ketë një kampionat të rregullt kombëtar, ashtu siç funksionojnë edhe kampionatet e 17 dhe 19 vjeçarëve.

Në Sektorin e Garave janë duke punuar thjesht për të përcaktuar numrin e ekipeve pjesmarrëse dhe skemën e funksionimit të kampionatit teksa gara pritet të jetë në sistemin vajtje- ardhje. Kjo padyshim që është diçka pozitive sepse ekipet edhe të kësaj grupmoshe, tashmë do të përballen me bashkëmoshatarët e tyre nga e gjithë Shqipëria.

Edhe në Shkodër një inisiativë e tillë e Federatës është përkrahur. Tek Akademia Vllaznia funksionimi i ekipeve zinxhir është në mënyrën e duhur dhe që në kampionatin e parë, me ekipin U15 do të synojnë menjëherë titullin kampion. Rritja e vëmendjes për futbollin e moshave tek institucioni përkatës, ka bërë që edhe futbollistët e vegjël të jenë më të angazhuar për të bërë më të mirën e tyre.

Krijimi edhe i ekipeve kombëtare Rajonale ka qenë një tjetër gjë pozitive dhe këtyre tashmë u shtohet edhe kampionati kombëtar U15. Në Federatë e kanë kuptuar mesa duket se ekipet kombëtare tashmë duhet të jenë të fokusuara më së shumti tek elementi vendas dhe prandaj po studiohen të gjithë variantet për t’i dhënë shumë prioritet këtyre kampionateve.