UEFA ka vendosur që të aplikoje në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve sistemin VAR, por duke bërë një ndryshim shumë thelbësor në krahasim me atë që kemi parë të ndodhë në ndeshjet e Botërorit.

Pak minuta pas përfundimit të sfidës Ajaks-Real Madrid ku u vu në zbatim sistemi, në faqen e saj zyrtare në internet është shpjeguar rasti kur është përdorur VAR dhe arsyeja e vendimit që u mor.

“Në minutën e 38 të ndeshjes së parë Ajaks-Real, goli me kokë i Nikolas Taljafiko u anulua pas një verifikimi me VAR. Gjyqtari identifikoi se shoku i skuadrës i Taljafiko, Dushan Tadiç, ishte në pozicion jashtë loje dhe duke penguar portierin – duke e ndaluar që të ishte në gjendje të priste topin – ndërsa ai po godiste me kokë.

Kjo ishte në linjë me protokollin e VAR dhe goli në mënyrë të drejtë u anulua dhe u dha një goditje e lirë pas sinjalizimit për pozicion jashtë loje”, shpjegohej nga UEFA në faqen e saj zyrtare.

UEFA shpreson se duke argumentuar të gjitha vendimet e VAR në këtë mënyrë, do të evitojë polemika të shumta që lindin për rastet e diskutueshme. /vipsport/