Të gjithë e mbajnë mend atmosferën në Palermo në marsin e këtij viti, teksa arbëreshët e kthyen në festë pragndeshjen mes Italisë dhe Shqipërisë, fituar nga Azurrët. Pas atyre momenteve emocionuese të përjetuara në Hora të Arbëreshëve, një delegacion i komunitetit shqiptar që jeton prej më tepër se pesë shekujsh në Itali, u paraqit në selinë e FSHF-së.

 

Fillimisht një takim i përzemërt dhe fotografi me trajnerin e ri të Kombëtares, Christian Panucci. Më pas, pritja zyrtare nga presidenti Armand Duka, të cilit i dorëzuan një pllakatë falënderimi për federatën dhe tifozat “Kuq e Zi” për festën e krijuar më 24 Mars. “Jemi këtu për të nderuar presidentin e federatës për ardhjen te Hora e Arbëreshëve, një fshat që ka 500 vjet dhe ku ruajmë traditat e gjuhën. Ultras Arbëreshë u bashkuan me tifozat Kuq e Zi, duke kënduar së bashku nëpër rrugët e Palermos dhe në stadium.”Një album me fotokujtime, batuta me presidentin, por edhe dhurata për delegacionin e arbëreshëve, që premtuan se pas përballjes në Palermo, do të jenë të pranishëm edhe në Shkodër, për sfidën e 9 tetorit të ardhshëm ndaj Italisë. “Në tetor luhet ndeshja Shqipëri-Itali. Tifozët arbëreshë do të organizohen për të ardhur në Shkodër dhe ta shohin këtë ndeshje”, – u shprehën përfaqësuesit arbëreshë të ardhur nga Siçilia. Pritet një tjetër atmosferë entuziaste, pavarësisht asaj çfarë do të ndodhë në fushën e lojës.