Në shtator do të nisë edicioni i ri i Superligës shqiptare dhe sigurisht që ka ende shumë enigma për t’u zbuluar. Kuptohet, më interesantja do të jetë ajo se çfarë përbërje dhe objektivash do të ketë secili prej 10 ekipeve pjesmarrëse. Por ka edhe një enigëm tjetër, ajo se cila do të jetë ekipi i arbitrave që do të arbitrojnë.

Padyshim që ka dilema në këtë drejtim megjithatë për shkodranët me interes është të mësojmë nëse do të ketë arbitra nga ky qytet që do të arbitrojnë në sezonin e ri në Superligë. Sezoni i kaluar ka dhuruar vetëm një ndeshje për Indrit Myrtjen, atë Korabi- Kukësi dhe vetëm aq. Ky arbitër konsiderohet i perspektivës dhe padyshim që sezoni i ri mendohet të sjellë edhe futjen e tij në “top-listën” e Superiores sepse i ka të gjitha të dhënat për ta bërë një gjë të tillë. Për më tepër, në dy sezonet e fundit, është arbitri që ka gjykuar më shumë ndeshje në kategorinë e parë dhe prandaj e meriton një shans për në Superligë. Po ashtu, edhe Ditmar Jubica i ka lënë pas njëherë e mirë problemet shëndetësore që ka patur dhe është i gatshëm për t’u rikthyer sërish në nivele të larta. Mbetet vetëm aprovimi i tij ashtu si dhe i Myrtjes nga njerëzit e FSHF-së të ngarkuar për këtë qëllim. Por Kolegjiumi i arbitrave të Shkodrës përveç kryesorëve, mund të ketë edhe arbitra anësorë të denjë për në Superligë. Përveç Melis Dervishit që e ka këtë status, padyshim që pritet edhe ndonjë tjetër për të qenë në “top-listën” e anësorëve për sezonin e ri.
© shkodrasport.com