✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Javën e ardhshme do të nisë në Shkodër një aktivitet shumë interesant futbolli. Ai i minifutbollit 5×5, por ajo që e bën të veçantë këtë kampionat është se ai do të zhvillohet me ekipet e institucioneve dhe po ashtu një tjetër e veçantë është edhe fakti tjetër që ky do të jetë një kampionat “Masters”, pra për futbollistë të moshës +40.

Ky kampionat do të organizohet nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër, ndërkohë që partnerë në organizim do të jetë edhe Shoqata “Pro Sport”, ndërsa partner mediatik Gazeta “Shkodra Sport” e cila do ta pasqyrojë rregullisht atë.

Pjesmarrës në këtë kampionat të këtij sezoni do të jenë 8 ekipe. I pari është ai i veteranëve të Vllaznisë, i dyti është ai i Shoqatës Rajonale të Futbollit, për të vazhduar me atë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, të OSHEE Shkodër, të Spitalit Rajonal, të Bashkisë Shkodër. Po ashtu edhe ekipi i Gazetarëve- Media, si dhe ekipi i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve. Çdo ekip do të ketë të federuar deri në 15 futbollistë +40.

Ekipet kanë disa kohë që kanë nisur përgatitjet dhe me siguri që ka për të qenë një event që do të ngjallë interes. Sepse në fushë do të shohim duke luajtur përveç veteranëve të futbollit, edhe trajnerë e presidentë ekipesh. Po ashtu edhe pedagogë, doktorë e infermierë, elektriçistë e punonjës tatimesh. Ashtu si dhe zyrtarët e Bashkisë dhe gazetarët dhe njerëzit e medias.

Kampionati do të zhvillohet në dy faza me nga 7 javë secila, në total prej 14 ndeshjesh dhe në fund do të ketë një “Final 4”, ku skuadra e vendit të parë do të ndeshet me vendin e katërt dhe i dyti me të tretin në gjysmëfinale. Fituesit e këtyre takimeve pastaj shkojnë në finalen e madhe. Organizatorët kanë vënë edhe shpërblime financiare për dy ekipet më të mira.

Ndeshjet do të zhvillohen dy ditë në mesjavë, në një nga kalçetot e qytetit të Shkodrës dhe priten me shumë interes jo vetëm nga pjesmarrësit, por edhe të tjerë. Fakti që në fushë do të jenë të gjithë mbi 40 vjeç e bën edhe më të këndshëm këtë aktivitet që fillon javën tjetër dhe zgjat deri në pranverë.

Shoqata “Pro Sport” dhe Gazeta “Shkodra Sport” do të jenë vazhdimisht pranë këtij kampionati, për ta pasqyruar dhe sjellë para lexuesve të saj momentet më interesante.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”