Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ftuar në emisionin “Skaner” në MCN TV, foli për rizgjedhjen e tij si anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA.
Duka deklaroi se është i kënaqur me rizgjedhjen, ndërsa shtoi se nuk e priste që të ishte më i votuari nga të gjithë kandidatët.
“Nuk ka si mund të mos jem i kënaqur, me mbështetjen e shumicës. Jam i kënaqur dhe i surprizuar, sepse nuk prisja që të isha më i votuari në atë kongres. Natyrisht marrëdhëniet tona me federatat e tjera, kanë qenë korrektë dhe ky vlerësim ka bërë që të ketë një mbështetje të tillë.
Mbështetja është më e madhe se në mandatin e parë. Duke parë kontributin e katër viteve, ka qenë pozitiv, ashtu si edhe rezultatet. UEFA ka marrë vendime të duhura në kohën e duhur, në një periudhë të vështirë, siç ishte edhe periudha e Covid-it. Futbolli ishte sporti i vetëm që i mbylli të gjitha kampionatet gjatë kohës së pandemisë. Ishte një 4-vjeçar i rëndësishëm dhe i vështirë. Ishte Superliga, që është konsideruar si i dëmshëm për futbollin europian.
I pyetur se çfarë përfiton Shqipëria, Duka u shpreh se marrëdhëniet e mira mes palëve, bëjnë që në vendin tonë të organizohen aktivitete të ndryshme. Gjithashtu ai zbuloi se është aplikuar që në Shqipëri të zhvillohet Kampionati Europian për 19-vjeçarët.
Nuk është një zgjedhje institucionale, por është një zgjedhje e një individi, që përfaqëson një federatë. Duke qenë në një tavolinë dhe duke pasur marrëdhënie te mira, ka edhe gjëra të mira për futbollin në vend. Nga kjo ne kishim një finale europiane në Tiranë. Kemi pasur edhe aktivitete të tjera, që kanë qenë më të vogla.
Janë evente që i shërbejnë futbollit dhe vendit. Ka edhe një lloj të ardhure ekonomike për futbollin. Mund të jemi vendi i parë për turnetë e organizuar për të rinjtë. Do jemi kandidatë për evente të tjera. Mund të ketë ndonjë aktivitet tjetër më të madh se finalja e Conference League. Mund të organizojmë një Kampionat Europian për U-19. Kemi aplikuar për këtë, për në vitin 2025 apo 2026”- eshte shprehur Duka.