Rocco Vata është kthyer në një nga emrat më interesante të futbollit europian për datëlindjen 2006. Emri i tij ka përfunduar në mediat më të njohura që merren me talente e rinj dhe mesfushori shqiptar, djali i ish-kapitenit kuqezi, Rudi Vata, po konfirmon të gjitha vlerësimet me paraqitje të shkëlqyera.

Ai është pjesë e pandashme e përfaqësueses U17 të Irlandës dhe pasi ndihmoi këtë të fundit që të kualifikohej në raundin Elitë të Europianit të kësaj grupmoshe, po shkëlqen edhe në përgatitjet për miniturneun e dytë të UEFA-s.

Sot, Vata arriti të bënte diferencën në një ndeshje miqësore që Irlanda zhvilloi në Spanjë ndaj përfaqësueses së Belgjikës për këtë grupmoshë.

Goli i tij në fund të sfidës, i dha suksesin 1-0 irlandezëve, të cilët e shohin atë si një lojtar me shumë perspektivë dhe një talent që kërkon një vëmendje shumë të veçantë.