Rocco Vata u bë protagonist i fitores 2-1 të Uotford ndaj Uest Bromuiç, duke shënuar golin që i dha tre pikët skuadrës së tij në ndeshjen e Championship të së mërkurës në darkë. Një gol për të cilën meritë ka edhe Rudi Vata.

Ka qenë pikërisht djaloshi ai që ka zbuluar për mediat angleze se këshillat që i kishte dhënë ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare pas ndeshjes së kaluar me Oksford, ku kishte humbur shumë raste, e kishin ndihmuar që të gjente rrjetën në këtë duel.

“Babai im më kritikoi pak për ato gabimet, më tha vetëm që të mbaja topin poshtë dhe të gjuaja fort. Edhe nëse e gjuan në qendër, portieri mund ta bllokojë. Unë thjesht e godita poshtë dhe me forcë e topi shkoi në rrjetë”, tregoi Rocco Vata pas sfidës.

“Unë gjithmonë bëj maksimumin që të shkoj në zonë dhe për fat sfera mbërriti. Unë krenohem me faktin se jam në vendin e duhur nëse topi do të mbërrijë diku. Jam i vëmendshëm e në gatishmëri, pastaj gjuaj në portë”, theksoi 20-vjeçari i cili synon që këtë vit të bëjë më mirë se në edicionin e kaluar kur pas një starti premtues, pat një ndalesë për shkak të një situate shëndetësore nga e cila humbi 6,5 kg.

“Nuk jam ende i sigurt se çfarë sëmundje ishte, por ishte një periudhë e vështirë. M’u desh që të rivendosja përsëri peshë trupore, jo duke ngrënë pica apo gjëra të tilla. E kisha të vështirë të rifitoja peshën normale, por tani e ndjej veten të fortë fizikisht përsëri. Po bëj shumë punë për rezistencën, pasi e di që ky është lloji i kampionatit ku duhet të vraposh. Edhe nëse nuk po luan mirë, është e rëndësishme të vraposh”, tregoi Vata.