Marko Rojs mund të ishte duke përfaqësuar ngjyrat e Bajernit të Mynihut sot, por zemra e tij ka qenë gjithnjë të luante për Borusian e Dortmundit, klubit ku hodhi hapat e para. Ylli i verdhëzinjve është kërkuar gjithnjë nga rekordmenët e Gjermanisë kur ishte ende pjesë e Gladbahut, por 30-vjeçari vendosi që të transferohej në “Signal Iduna Park” në vitin 2012 dhe prej atëherë, besnikëria e tij është shpërblyer, duke u bërë edhe kapiten.

“Kërkesa erdhi edhe nga Bajerni, ashtu siç erdhi edhe nga klubet e tjera. Unë kam respekt maksimal për atë klub dhe atë që ka bërë për dekada”, tha Rojs gjatë një interviste për “Sport Bild”. “Por unë doja gjithnjë që të luaja për Borusian e Dortmundit. Ishte gjithnjë klubi ku më çonte zemra. Kur luaja te Gladbahu në atë kohë, e kisha të qartë: në Bundesligë, unë do të luaja vetëm për Dortmundin, përndryshe do të transferohesha jashtë”.

Rojs iu bashkua akademisë së Dortmundit në moshën 7-vjeçare (1996) dhe pas 10 vitesh ai u detyrua të ndjekë një tjetër rrugë për t’u bërë një futbollist profesionist. Pas 3 viteve me Rot Vais Ahlen, sulmuesi siguroi një transferim te Gladbahu, ku ai shpërtheu me 41 gola në 109 ndeshje, duke tërhequr vëmendjen e ish-klubit të tij, që i bëri një ofertë për ta rikthyer.

Tetë vitet e fundit ai i ka kaluar me skuadrën e Vestfalisë, ku ka shënuar 129 gola në 266 ndeshje dhe ka fituar edhe Kupën e Gjermanisë në 2017. Kapiteni ka edhe një këshillë për Xhejdën Sançon, talentin anglez që përflitet për një rikthim në Angli te Mançester Junajtid ose Çelsi këtë verë:

“Ai duhet të qëndrojë një vit ose ndoshta dy të tjera në Dortmund. Nga pikëpamja ime, nuk ka një opsion më të mirë për të. Më pas mund të bëjë hapin e madh të vërtetë. Ai duhet të largohet si një lojtar më i kompletuar, duke luajtur titullar me skuadrën tonë”.