Nga Endri ÇINARI

Vllaznia nuk e ndali merkaton as në fundin e muajit shtator, me shkodranët që afruan në gjirin e tyre mbrojtësin, Jasmin Çelikoviç. Me boshnjakun i cili ishte një futbollist i lirë pas prishjes së marrëveshjes me Koper, e nga ky fakt përfituan shkodranët. Të cilët me afrimin e 26-vjeçari e dërguan në 9-të numrin e futbollistëve të afruar që nga qershori për sezonin 2025-26. Kështu pas emrave si: Gjini, Kuros, Hakaj, Dros, Kallaku, Murataj, Kastrati dhe Bismark, skuadra do ketë edhe shërbimet e Çelikoviç.

Me zyrtarizimin e mbrojtësit në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit, mund të thuhet me plot gojën se tek Vllaznia tashmë kanë 2 formacione. Bazuar edhe në skemën 3-5-2 që përdor trajneri Martini, çdo rol në fushë dhe pozicion është i dubluar në rradhët e kuqebluve. Kështu duke nisur nga porta, ku për katërkëndorin ka një garë mes Pohls, i cili ka fituar shumë besim në javët e fundit dhe Jukajt, që tashmë është rikthyer pas dëmtimit në fillimin e muajit shtator.

Po ashtu në mbrojtje si titullarë më të shpeshtë në këto javë kanë qenë treshja Gurishta-Gjini-Bajrami. Të cilët patjetër si mbështeje apo edhe rivalë për një vend në formacion do kenë edhe Kuros, Pusin e tashmë edhe Çelikoviç. Edhe në mesfushë gara është e “ashpër”, pasi ka mbipopullim, ku krahas futbollistëve si: Krymi, Kallaku dhe Murataj, rivalizojnë për një vend në formacion edhe Dros, Qato apo Sala. Nga krahu i djathtë Kastrati ka qenë një siguri në këto 6 javë të kampionati, por në atë pozicion në të ardhmen mund të luajë edhe një futbollist si Tafili.

E teksa majtas ka qenë Jago një titullar i skuadrës, që duhet t’i bëjë “llogaritë” edhe me Hakajn që po vjen në formën e tij më të mirë. Në sulm dyshja më e përdorur ka qenë ajo Balaj-Mala, që në javët e ardhshme do “konkurohet” edhe nga Bismark. Apo të rinjtë Ara dhe Kubazi të cilër presin rastin e tyre në ekipin e drejtuar nga Martini. Pra, dy formacione për Vllazninë, me trajnerin Martini që ka mundësi zgjedhje dhe “luks” në skuadër. Duke pasur opsione në çdo pozicion të fushës, për një ekip që si synim ka shpalljen kampion në fund të sezonit.(www.shkodrasport.com)