Kristiano Ronaldo e nisi këtë Kampionat Europian me dy objektiva shumë të qartë. I pari ishte të arrinte e së shpejti kalonte rekordin botëror të golave të Ali Daei, i cili kishte shënuar më Iranin 109 gola në ndeshjet e përfaqësueses. I dyti ishte të thyente mallkimin disavjeçar që e ndiqte për ndeshjet me Gjermaninë dhe Francën, të cilave nuk u kishte shënuar asnjëherë më parë.
Të dy objektivat u realizuan brenda një jave. Portugezi u shënoi të dy skuadrave dhe me dygolëshin ndaj francezëve, arriti edhe rekordin e Ali Daeit, duke e barazuar kështu në kreun e renditjes të lojtarëve që kanë shënuar më shumë me përfaqësueset e tyre.
Njëkohësisht, Ronaldo u bë me 20 gola, lojtari që ka shënuar më shumë në fazat zyrtare në aktivitete ndërkombëtare (Europianë dhe Botërorë), duke kaluar Miroslav Klosen i cili ishte ndalur në 19 gola në karrierën e tij.
Përballë Belgjikës në turin tjetër, padyshim Ronaldo do të përpiqet që të vazhdojë ecurinë e tij të jashtëzakonshme, meqë tani është plotësisht në garë për trofeun e golashënuesit më të mirë, pasi është shkëputur nga ndjekësit me 5 gola të shënuar në 3 sfida.
Me shfira të tilla e rregullsinë me të cilën gjen rrjetën edhe me kombëtaren, janë të pakta ato skuadra të cilat i kanë shpëtuar një gjahtari si Ronaldo e mes tyre, ajo që i ka shpëtuar më shumë është pikërisht Shqipëria.
Pasi theu mallkimin me Gjermaninë e Francën, përfaqësuesja shqiptare është ajo me të cilën Ronaldo është përballur më shpesh pa i shënuar gol, pasi nuk i ka realizuar asnjëherë kuqezinjve në të 4 ndeshjet që ka qenë përballë tyre gjatë karrierës së tij. /vipsport/