“Nëse do një këshillë nga unë, hiq qafe sa më shpejt Kristiano Ronaldon. Ai jo vetëm nuk lejon rritjen e të rinjve, por në të njëjtën kohë, zbraz edhe arkat”. Ishte kjo këshilla me të cilën Masimiliano Alegri ndahej dy vite më parë me Andrea Anjelin, një prapaskenë e nxjerrë në shesh pasi këtë verë shpërthyen fjalët për një rikthim te Juventusi i “Kontit Maks”, i cili u zyrtarizua shumë shpejt.

Dhe pa dyshim që kjo frazë nuk i ka shpëtuar aspak Kristiano Ronaldos, ndonëse ai nuk ka dashur kurrë të replikojë, sepse edhe sikur të mos jetë e vërtetë, por thjesht një trillim mediatik, Alegri e përsëriti në një mënyrë tjetër gjatë prezantimit të bërë ditën e martë:

“Ronaldo është një lojtar madhështor dhe një djalë shumë inteligjent. Numrat e tij flasin qartë, është një lojtar që ka bërë 130 gola me Juven në 3 vite, por pres një ndjenjë më të madhe përgjegjësie prej tij dhe dua të shoh që ta vërë më tepër eksperiencën e madhe që ka në shërbim të skuadrës”.

Shkurt, Ronaldo tani duhet të nisë të mendojë më shumë për skuadrën sesa për rekordet personale, pasi Alegri kërkon që pas 5 titujve të lërë sërish gjurmën e tij në Torino, por duke synuar më fort se kurrë Ligën e Kampioneve, ndonëse rikthimi në fronin italian është detyrim, pasi ia dorëzuan Interit.

Dhe teksa Alegri bëri ftesën e tij, dje mesa duket edhe Ronaldo ka vendosur që t’i përgjigjet me një postim në rrjetet sociale: “Shumë i lumtur që rikthehem në punë për Juventusin. Gati për sezonin e ri, pasi të tjerë trofe na presin”.

Ky mesazh duket një shenjë paqeje mes “Kontit Maks” dhe CR7-ës, i cili sivjet pritet të ketë përkrah një Dibalë më të fortë dhe më të motivuar, por duke u bashkuar edhe pjesën tjetër të lojtarëve ofensivë si Morata, Bernardeski, Kulusevski e Kieza, objektivi është ai i 75 golave vetëm nga reparti sulmues (tjetër citim i Alegrit në konferencë).

Misioni ka nisur teksa i gjithë grupi, me përjashtim të Kiezës, Bernardeskit, Kielinit e Bonuçit, po punon që të ndërtojnë diçka shumë herë më solide sesa sezonin e kaluar, por ajo që përfundoi më shpesh se çdo gjë tjetër dje në fokusin e aparateve fotografike ishin buzëqeshjet e Ronaldos teksa stërvitej përkrah Alegrit, duke treguar se situata mes të dyve është më e qetë dhe janë gati për gjëra të mëdha.

Dhe ndoshta pse jo, në një atmosferë të tillë mund të vijë edhe ai rinovim i shumëpritur që është përfolur në ditët e fundit, për shtyrjen e kontratës me 36- vjeçarin edhe për një tjetër sezon (skadenca 2023), me një pagë prej 20 milionë eurosh neto në vit.